Deri në verën e 2019, Universiteti i Arteve nuk i ishte nënshtruar asnjë restaurimi të plotë. Godinës monument i kategorisë së dytë i janë rikthyer parametrat e kërkuar për një institucion arsimor të artit  ku a-ja është akustika.

Ndërhyrja e cila është kryer me parimin për të ruajtur elementet identifikues duke i përshtatur ata me teknologjinë e kohës, është një bashkëfinancim i Universitetit të Arteve me qeverinë shqiptare. Ajo i jep fund edhe ankesave të kahershme të pedagogëve dhe studentëve për sistemin e ngrohjes dhe ftohjes.

Me përfundimin e restaurimit të mjediseve ku studentët kryejnë orët mësimore apo atyre të pedagogëve, në vjeshtë nis rindërtimi i sallës së koncerteve, e cila është jo vetëm në shërbim të shfaqjeve brenda shkollës por edhe për artistët nga jashtë.

Me përfundimin e saj, Universiteti i Arteve hyn në një tjetër fazë të rëndësishme. E gjitha pjesa nga pas, e shtuar gjatë viteve të kaluara për të përmbushur nevojat e mësimdhënies, do të shembet për të konkretizuar këtë projekt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re