Fax News mëson detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi mëngjesin e kësaj të shtune në fshatin Mushan të Shkodrës, ku mbeti i plagosur 24-vjeçari Isak Mehmedaj. Ky i fundit ka marrë një plumb në bark, ndërkohë që në spital ka thënë se nuk i ka parë personat që kanë qëlluar në drejtim të tij.

Hetimet kryesore të policisë së Shkodrës janë përqendruar në një hakmarrje të mundshme, pasi Mehmedaj është person i afërm me autorët e vrasjes së Ritvan Ramazanit, në Nëntor të vitit të kaluar, i cilësuar dhe si i ”forti i zonës”.

Ridvan Ramazani u ekzekutua me 30 plumba kallashnikovi më 28 nëntor 2020 në fshatin Mushan në Shkodër pranë një pike karburanti teksa udhëtonte me makinën e tij. Për ngjarjen është arrestuar kushëriri i 24-vjeçarit që u plagos sot, Hydajet Mehmedaj, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij Duel Mehmedaj.

Dy vëllezërit, dyshohet se udhëtuan me motor dhe qëlluan me breshëri kallashi në drejtim të Ramazanit, ndërkohë që fillimisht ishin konfliktuar dhe me djalin e tij.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re