Pikërisht në një valë të re sulmi ndaj ambasadorit amerikan dhe diplomatëve të tjerë të selisë të Uashingtonit nga një pjesë të politikës shqiptare, Donald Lu është rikthyer bujshëm duke folur si ambasador me fuqi të plotë.

Pikërisht kur të gjithë e mendonin të ikur, njeriu që ka inspiruar reformën në drejtësi në Shqipëri, ka folur dhe ka deklaruar se politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë nga SPAK.

Në një deklaratë me shkrim që e ka publikuar në Top Channel, Donald Lu ka bërë të ditur se është ende njeriu i qeverisë amerikane në Tiranë.

 “Kam besim që reforma në drejtësi po prodhon rezultate reale për popullin shqiptar. Po largon gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe po konfirmon ata të ndershmit për të vazhduar punën e rëndësishme të gjykatave. Rezultatet janë mbresëlënëse. Komisioni i vetting-ut ka shkarkuar 21 gjyqtarë dhe prokurorë si dhe ka konfirmuar 27. Ndërkohë që disa nga rastet do të apelohen, procesi përfaqëson një hap madhor përpara drejt një gjyqësori të drejtë dhe të pavarur. Qytetarët e zakonshëm tani duhet të presin të kenë gjyqtarë dhe prokurorë të rivlerësuar dhe të pastër, që nuk do të kërkojnë më ryshfete dhe nuk do t’i përgjigjen më trysnisë politike. Më në fund, qytetarët mund të kërkojnë dhe të presin drejtësi të vërtetë”, deklaroi Donald Lu.

Ndërkaq, ambasadori amerikan i ka bërë thirrje Lulzim Bashës që të futet në procesin e reformës në drejtësi, duke i ofruar një marrëveshje: një prokuror të ri të zgjedhur edhe me votat e opozitës.

“Jam dakord me opozitën se është imperative që organet ee reja gjyqësore të ngrihen shpejt. Kjo do të lejojë emërimin e një prokurori me mandat të plotë, emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe krijimin e SPAK dhe BKH. Besoj se jemi pranë krijimit si të KLP edhe të KLGJ. Këshillit të Lartë Gjyqësor i duhet vetëm një gjyqtar i guximshëm i gjykatave të apelit për të dalë vullnetar që të shërbejë në Këshill. Kam besim që në javët e ardhshme ky proces do të përmbyllet dhe do të ecet përpara me emërimin e gjyqtarëve të rinj, SPAK dhe BKH. Procesi i vetting-ut po funksionon. Jemi shumë pranë hyrjes në fazën tjetër të reformës”, deklaroi Lu.

Vetëm pak ditë më parë, CIA abdetoi Facktbook-un e saj dhe bëri të ditur se Donald Lu vijon të jetë ambasador i SHBA-së në Tiranë. 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re