Një foto ku shfaqet Ervin Hatibi në Stamboll, atje ku e ka zhvendosur jetën prej vitesh, ka ngacmuar opinionistin Namir Lapardhaja që t’i dedikojë këtij rasti një shënim të vogël e mjaft pikant.

Ervin Hatibi njihet si ndër penat e arta poetike dhe publicstike të pas viteve ’90-të, por që vitet e fundit e ka rralluar praninë e tij në letrat apo median shqiptare duke qenë i pranishëm vetëm me një shkrim në muaj në revistën “Shenja”.

Ndaj, rishfaqja e tij, qoftë dhe më një foto, përbën në eveniment në vetvete, siç është dhe ky dedikim i mëposhtëm i Lapardhasë…

Shenim për një foto të Ervin Hatibit

Ju kujtohet Ervin Hatibi? Poeti i talentuar dhe publicisti i mprehtë. Mendja e bukur me atë imazhin e mjekrës dhe flokëve të gjatë e të kuqerremtë, bash si personazhet biblike. I riu i talentuar për të cilin vet Ismail Kadare do te shprehej dikur se “Ervin Hatibi është vazhdimësia dhe e ardhmja e poezisë moderne shqipe”.

Sigurisht që kush e kërkon Hatibin estetikisht, e gjen mes vargjeve të poezive të tij. Kush e kërkon për artin e tij të përkorë e gjen mes teksteve të kengëve mjaft poetike dhe aq të dashura për rinine e kohës, të grupit “Ritfolk”.

Kush kërkon të lexoje publicistikë poetike, gati në vargje dhe të mbushura me gjuhë, stil, metaforë dhe figuracion, mendje të mprehte, të hapur dhe mjaft bindëse, e gjen në publicistikën e tij, të përmbledhur tek “Republick of Albanania”.

Ervin Hatibin mund ta kërkosh e ta gjesh gjithkund artistikisht dhe estetikisht, por jo fizikisht. Prej vitesh ai është shkëputur nga Shqipëria dhe ka zgjedhur të jetojë në Stamboll, larg zhurmës dhe kotësisë së vendit të vet.

I lodhur dhe i zhgënjyer nga e gjithë ky absurditet i atdheut mëmë, që më së miri e gjen të konkretizuar tek poetika e tij. Hatibi i mungon prej vitesh ekranit shqiptar. Një polemist i shkëlqyer, i kulturuar dhe i pranuar prej të gjitheve, ligjërimi i tij i përzgjedhur, ka lënë një zbrazeti në debatin publik në Shqipëri.

Pas shume kohësh Ervin Hatibi u shfaq në një foto selfie, e rrallë për racën e tij, së bashku me një studiues shqiptar ne Stamboll. Siç duket për t’i nxjerr mallin lexuesve dhe ndjekësve të tij të dikurshëm dhe të sotshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re