Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka depozituar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë, për të revokuar vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku, në çështjen e lobimit rus, ku i pandehur ishte Lulzim Basha, me argumentin se ka fakte të reja, që plotësojnë kushtet e një kallëzimi të ri.
Kjo kërkesë e Ballës, është bërë publike nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

Duket se mazhoranca po kërkon të rikthejë këtë çështje të bujshme, si një formë presioni ndaj liderit të opozitës, më pak se një vit përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare.

“Në këtë kërkesë renditen 3 prova të reja, të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, të cilat kërkohen të merren në shqyrtim nga Gjykata e Tiranës. Prova e parë ka të bëjë me kontrata të firmosura nga Lulzim Basha duke përdorur të dhenar e pashaportës së tij diplomatike.

Prova e dytë, janë shërbime të faturuara në emër të Partisë Demokratike në shumën totale 675.000 dollarë.
Dhe prova e tretë, lidhet me deklarimin zyrtarisht se kompania guackë Biniatta Trade, do të kompensojë/do të paguajë lobistin Nicolas Muzin për shërbimet e ofruara në emër të Partisë Demokratike.

Bazuar në këto prova thotë kërkuesi Taulant Balla, gjykata duhet të revokojë vendimin e datës 13.01.2020 si dhe aktet që i përkasin procedimit penal numër 645 të vitit 2018 ti kthehen organit të prokurorisë Tiranë për të vijuar hetimet.

Në faqen 15 të kësaj kërkese janë tre paragrafë dedikuar rolit të lobistit Nicolas Muzin i cili u deklarua i gatshëm të dëshmonte për drejtësinë shqiptare në lidhje me këtë lobim kundrejt garancisë, se nuk do të hetohej, akuzohej dhe arrestohej për llogari të këtij hetimi.

Por asnjëherë prokurorët shqiptarë nuk bënë asnjë përpjekje në dhënien e këtyre garancive në këmbim të dëshmisë nga Nicolas Muzin e si pasojë mbyllën hetimet duke çuar çështjen në gjykatë“, thuhet në lajmin e TCH.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re