
Pas një greve 9-ditore, nga sot trafiku urban dhe operatorët privatë të transportit publik në Prishtinë i rikthehen punës, duke normalizuar qarkullimin për mijëra qytetarë që gjatë ditëve të fundit janë përballur me mungesë të linjave.
Trafiku Urban në njoftimin për mediet thekson se ndërprerja e shërbimit ka qenë e pashmangshme për shkak të gjendjes së rënduar financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.
Me rifillimin e punës nga sot, pritet që të gjitha linjat e rregullta urbane dhe ato të operatorëve privatë të funksionojnë sipas orarit të zakonshëm.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati njoftoi dje se janë alokuar një pjesë e mjeteve të kryeqytetit, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se Drejtoria e Financave do të punojë jashtë orarit të rregullt për të kryer detyrimet financiare.
