Ilda Zhulali, drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, është shprehur se rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë është frymëzues për PD dhe shqiptarët.
Ajo gjithashtu është shprehur në emisionin Open në News24, se kanë pritshmëri që administrata Trump të rishikojë vendimin e non gratës ndaj Sali Berishës.
“Ka një aleancë mes PD dhe asaj Republikane në SHBA. E dyta ajo që ndodhi në këto zgjedhje ishte një shembull frymëzues për PD dhe shqiptarët, për shkak të asaj që i ndodhi Donald Trump gjatë këtyre viteve, rezistencën që tregoi, sulmet mediatike dhe të drejtësisë, deri te goditjet fizike.
Rezultati tregon se ai u bë një shembull ku qytetarët amerikanë i besuan. Udhëheqësi i gjithë kësaj beteje ka qenë Trump.
Prishmëria jonë është të ketë një reflektim ndaj non gratës së Berishës. Ne kemi dhe fakte publike, që ka patur pyetje me shkrim nga kongresmenë republikanë drejtuar DASH që nuk kanë marrë përgjigje. Ose përgjigje që argumentet e marra janë nga mediat shqiptare dhe OJQ. Shpresojmë që ky vendim të rishikohet”, tha Zhulali.