Sali Berisha ka deklaruar këtë të martë se misioni i nismës së tij është që të krijojë kushtet e një gare të lirë dhe të hapur për kryetarin e Partisë Demokratike.

Vetë Berisha, pasi disa ditë më parë shpalli kandidimin e tij në krye të PD, tha nga Kamza se nuk i shmanget kurrë garës.

Ai i garantoi demokratët se nuk do t’i zhgënjejë kurrë. Berisha tregoi për qytetarët edhe se ku ndryshon ai me Sali Berishën e vitit 2013.

“Lidhur me rikthimin misioni jonë i përbashkët është të krijojmë kushtet e një gare të lirë dhe të hapur, por ju garantoj se unë nuk i shmangem asaj  dhe i garantoj demokratët se kurrë nuk do t’i zhgënjej. Rikthimet në histori kanë qenë vetëm suksese. 

Është e vërtetë që unë rikthehem pas 8 vitesh, por nëse më pyet dikush mua çfarë ndryshimi ka Sali Berisha i vitit 2013 me Sali Berishën e vitit 2021, mund t’ju them vetëm një gjë, flej më pak se në 2013, lexoj më shumë, punoj më shumë”, tha Berisha.

Ai tha se PD ka nevojë për ristrukturim. Ai u shpreh se forumet duhet të jenë plotësisht funksionale.

“Sa i përket ajo që thashë që do e kthejmë PD në shtëpinë e lirisë, ajo nënkupton në çdo qelizë të saj vendimet e lira. Padiskutim, nënkupton ristrukturimin e saj. A duhet të jemi forcë politike serioze ne? S’ka diskutim. Nëse shpallim se në Kuvend kemi 7 mijë vetë, kur salla më e madhe e vendit, stadiumi Selman Stërmasi zë 4 mijë ne nuk jemi seriozë. 

Ku i fusim ne 7 mijë vetë? Partia Angela Merkel Kuvendin e ka me 900 vetë. Partia Komuniste e Kinës ka 3 mijë delegatë. Ne dalim me 7 mijë vetë. 7 mijë vetë do të thotë nuk është serioze. Keni shtruar një gjë serioze, të drejtë. Ne do bëjmë që çdo forum të jetë plotësisht funksional. E kam treguar edhe një herë, Nuk e harroj kur Kohl më tha gjatë një dreke isha në kancelari.

“Kur ra muri i Berlinit mendova se një pjesë e gjermanëve që ishin përzënë mund të ktheheshin, i kishin aty shtëpitë dhe e shtrova në kryesi. Kryesia ishte 19 vetë. Më mbështeti vetëm 1 njeri, 17 votuan kundër dhe nuk e shtrova më kurrë atë problem”. Këto janë forumet, dhe jo forumet shto miell shto ujë që shkojnë deri në asgjesim”, tha Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re