Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në pikën doganore të Qafë-Thanës, e cila po restaurohet.

Balluku u shpreh se do të krijohet një uniformizim i të gjitha pikave hyrëse nga toka në vendin tonë.

“E gjitha kjo do të bëhet mbi bazën e një projekti që ministria e Turizmit, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Kulturës, por sigurisht nën ekzekutimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku gjejmë rastin ta falenderojmë për gjithë punën e shkëlqyer në kohë rekord që ka bërë, ne jemi duke jetësuar këtë projekt, i cili në fillim u duk pak i vështirë për t’u vënë në jetë kaq shpejt, pra para fillimit zyrtar të sezonit, pra para 1 korrikut, por për të thënë të drejtën shumë nga pikat po dorëzohen.

Kemi vendosur që të krijojmë një uniformizim të të gjitha pikave hyrëse në Republikën e Shqipërisë, pra pikave kufitare nga toka dhe është bërë një projekt i cili e ka ndjekur ministrja Kumbaro, përsa i përket këtij uniformizimi nga ana arkitekturore, duke përdorur një ngjyrë të veçantë për secilën nga këto pika kufitare që këtu në Qafë-Thanë është zgjedhur ngjyra portokalli. Diku në Hanë të Hotit që është dhe pika ime e preferuar kemi një ngjyrë lejla. Do të ketë edhe ndërhyrje përsa i përket pjesës së infrastrukturës, e cila do të bëhet me kontratat e mirëmbajtjes nga ARRSH-ja si pjesë e bjutifikimit që ne kemi vendosur për të bërë në të gjitha pjesët dhe hyrjet kufitare. Por nga ana tjetër do të ketë edhe disa ndërhyrje nga Ministria e Kulturës, duke vendosur një vepër arti në secilën nga pikat doganore”, theksoi ajo./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re