Reforma zgjedhore është një nga çështjet që vijon të prodhojë debate dhe diskutime të ashpra në Kuvend.

 

Nga PD si bashkëkryetar është zgjedhur Enkelejd Alibeaj, ndërsa nga PS Damian Gjiknuri. Por Alibeaj nuk është pranuar nga pjesa tjetër e PD, e cila kërkon përfaqësuesit e vet në komision.

 

Endrit Sefa, sekretar për çështjet zgjedhore  tha se propozimet e tyre janë reale, në bazë të problematikave që ka evidentuar OSBE.

 

Sefa shtoi më tej se qëllimi i tyre është që tu ofrojnë qytetarëve një sistem të drejtë dhe të pakontestuar.

 

Intervista e plotë: 

 

Edhe në 2021, Lulzim Basha ka bërë një kërkesë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe një propozim të ri e kemi të propozuar sot. Pse mendoni se këtë radhë do merret në shqyrtim një kërkesë e tillë duke marrë parasysh që kanë kaluar 2 vjet nga kërkesa e parë e zotit Basha dhe fle në sirtar?

 

Këtë radhë ndryshon nga hera e parë, sepse bëhet në funksion të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili është në funksion dhe duhet të marrë në shqyrtim propozimet e PD.

Ne kemi një komision të reformës zgjedhore, që është në detyrë e sipër, i cili do të bëjë të mundur adresimin e rekomandimeve të OSBE ODHIR dhe gjetjet e fundit të vitit 2021 dhe të atyre të 2023. Nuk janë vetëm propozime për ndryshimin e sistemit, por ka dhe një sërë propozimesh të tjera dhe që bëhet fjalë për implementimin detyryes që ka ligjvënësi deri në datën 20 janar që është  sigurimi i të drejtës së votës së emigrantëve që jetojnë jashtë. Kjo është një detyrim kushtetues që ne e kemi adresuar dhe kemi sjellë propozime konkrete në parlament dhe komisionin e reformës zgjedhore.

 

Nëse flasim për një sistem të ri zgjedhor, duhen 94 vota. Aktualishte, edhe sikur ju të bashkoni votat me zotin Rama, prapë nuk arrini. Si do ja arrini kësaj gjëje?

 

Ne nuk po sjellim një propozim që i vjen në ndihmë PD por i shërben të gjithë shoqërisë shqiptare dhe normalisht adreson problemet që janë hasur në zgjedhjet e mëparshme. Ky propozim është vetëm një ndryshim në Kodin Zgjedhor, nuk kemi bërë propozim për ndryshime kushtetuese, pasi ne mendojmë që një aplikim i këtyre ndryshimeve në rastin më të mirë nuk ka nevojë për ndërhyrje kushtetuese. Pavarësisht dëshirë për të qenë në një rajon, jemi të hapur të bëjmë ndryshim me 2-3-4 rajone, por jo më shumë se 4 që pesha e votës të jetë njësoj për të gjithë rajonet.

 

Çfarë po ndodh me konisionin e reformës zgjedhore, sepse ka një debat shumë të madh. Nga njëra anë komisioni nuk mblidhet dhe nga ana tjetër, pjesa tjetër e PD thotë që duhet të ketë përfaqësuesin e saj?

 

Në vendimin 12 të 2020 është përcaktuar qartë përbërja e komisionit të reformës zgjedhore. Në pikën 3, kjo vendim marrje e Kuvendit përcakton që bashkëkryetari i cakton një PS dhe një PD. PD ka caktuar bashkëkryetarin e këtij komisioni që është Enkelejd Alibeaj. Vetëm PD ka sjellë propozimet konkrete për ndryshimin e kodit zgjedhor dhe për adresimin e të gjitha problematikave të ngritura nga raporti i OSBE.

 

Besoni se do keni kohë për ti realizuar të gjitha këto kërkesa duke patur parasysh që  komisioni në vetvete është zvarritur. Edhe sot që flasim nuk keni pasur ndonjë mbledhje të kohëve të fundit, e duke pasur parasysh klimën e tensionuar në Kuvend, sa shanse ka që kjo reformë të përfundojë me sukses dhe në kohë për zgjedhjet e ardhshme?

 

Shanset janë të mëdha për sa kohë që do jetë vullneti i palëve për të adresuar problematikat, gjithashtu edhe vullnetin e palëve për të bërë ndryshimet e nevojshme e për tu garantuar qytetarëve shqiptarë një sistem elektoral të drejtë dhe të pa kontestuar në zgjedhjet e ardhshme. Janë forcat e tjera që nuk po bëjnë detyrën e tyre për të adresuar problematikat e hasura nga OSBE

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re