Në Fshatin Rrëzë në malësinë e Krujës disa familje jetojnë ende në çadra dhe kushte mjaft të rënda, një pjesë e tyre qëndrojnë në banesa duke rrezikuar dhe jetën e tyre.

Ky fshat dhe më parë se banesat  të dëmtoheshin nga tërmeti, kishte probleme me kushtet e vështira ku jetonin banorët, edhe për shkak të mungesës së vendeve të punës.

Edhe sot e kësaj dite, qeveria nuk e ka kthyer vëmendjen nga këta banorë, pavarësisht se çdo ditë propagandohen sukseset e rindërimit.

Për Fax News banorët rrefejnë vështirësitë dhe vuajtjet që iu duhet të kalojnë në çadra dhe pa një strehë të sigurtë mbi kokë.

“Jam 65-vjeç, gjendja jonë ja si po e shef, jetojmë sa për një copë bukë, mjekësi jo, dritat si për të gjithë. Bashkia pas tërmetit nuk na ka ardhur fare, vetëm inxhinieri që tha riparoje, nuk kam ardhur për të dhënë garanci tha.

2 milionë e gjysëm lekë na e vlerësuan shtëpinë, ustai na tha që nuk riparohet. Unë nuk kam më fuqi, kur është ndonjë furtunë e madhe shkoj te komshinjtë, se më marrin edhe vetë. Këtu nuk ka doktor, edhe Kamzën larg e kam prej këtu, me të ardh ndonjë urgjencë nuk ke se ku shkon. Vetëm një dhomë kam kërkuar, asgjë më tepër”, shprehet një prej banoreve të fshatit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re