Komisioni Evropian ka miratuar një paketë prej 100 milion eurosh për të mbështetur përpjekjet e rehabilitimit dhe rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit 2019. Ky financim është pjesë e zotimit të përgjithshëm të Komisionit Evropian prej 115 milion euro të bëra në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve Së bashku për Shqipërinë, në fillim të këtij viti.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha: “Me miratimin e kësaj pakete financiare 100 milion €, Bashkimi Evropian po mban premtimin në përkushtimin e tij për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit, ashtu si ne gjithashtu jemi duke mbështetur vendin për të adresuar pasojat e krizës COVID-19. Ne kemi realizuar premtimin tonë për t’u qëndruar pranë qytetarëve të Shqipërisë dhe kemi rinovuar mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj evropiane. ”

Programi i sapo miratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përfshirë mobilimin dhe pajisjet, për t’i lejuar fëmijët dhe të rinjtë të kthehen në shkollë me kushte dhe lehtësira më të mira. Ai do të bazohet në punimet e nisura tashmë nën programin ekzistues të rindërtimit 15 milion euro të financuara nga Komisioni Evropian. Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e vendeve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumentet, muzetë, bibliotekat dhe vendet arkeologjike, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe në zhvillimin ekonomik lokal.

E gjithë ndërtimi do të ndjekë parimin “Ndërto më mirë”, duke zbatuar norma të qëndrueshme ndërtimi dhe të zvogëlojë rrezikun e ardhshëm, duke rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta dhe më rezistente ndaj katastrofave. Masat speciale gjithashtu do të sjellin përmirësime në efikasitetin e energjisë.

Në 17 shkurt në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve ‘Së bashku për Shqipërinë’, Komisioni Evropian premtoi 115 milion € mbështetje që përbëhej nga dy komponentë:

Një shumë fillestare prej 15 milion €, e njoftuar tashmë në dhjetor 2019, duke u përqendruar në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore. Për të lejuar fillimin urgjent të operacioneve të ndërtimit, ai po implementohet përmes një marrëveshje të nënshkruar me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Parashihet rehabilitimi dhe rindërtimi i 22 shkollave.

Një shtesë prej 100 milion € e cila ndahet përmes programit të sapo miratuar.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re