Ministria e Mbrojtjes njofton se sot në mesditë është riaktivizuar vatra e zjarrit në pyllin e fshatit Darëzezë e Re, njësia administrative Dërmenas, bashkia Fier, një ditë pasi ishte shuar.
Në vendngjarje janë angazhuar 7 automjete zjarrfikëse dhe 40 efektivë të MZSH-së, si dhe mjete të rënda si buldozerë dhe fadroma, por terreni ranor dhe përmasat e mëdha të zjarrit kanë vështirësuar ndërhyrjen.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 14:00, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete tokësore. Për pasojë, në bashkëpunim me Qendrën e Bashkuar Operacionale, është aktivizuar një helikopter Cougar i Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej afro 10 hektarësh, ndërkohë që era e fortë po ndihmon përhapjen e flakëve drejt pjesës veriore të pyllit. Për momentin, situata nuk është vënë nën kontroll dhe forcat zjarrfikëse vijojnë përpjekjet për shuarjen e tij.