Skip to content

Rindezja e konfliktit në Nago-Karabak (pamje)

Të paktën shtatë ushtarë azerbajxhanas u vranë gjatë operacioneve luftarake në kufirin azero-armen të martën, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria tha të mërkurën se 10 ushtarë të tjerë u plagosën gjatë operacioneve ushtarake.

“Situata në kufirin shtetëror azero-armen është stabilizuar që nga mbrëmja e 16 nëntorit. Provokimi dhe aventurizmi ushtarak që ka kryer Armenia në kufirin shtetëror kanë dështuar plotësisht”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi më herët se forcat armene kanë kryer “provokime të mëdha” në fushat e betejës së ushtrisë azerbajxhanas në rajonet e Kalbajar dhe Lachin në kufirin shtetëror.

“Ushtria e Azerbajxhanit ka kryer menjëherë një operacion emergjent”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se lëvizja e forcave armene është bllokuar dhe forcat e burimet i janë dëmtuar.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin diskutoi tensionet kufitare me kryeministrin armen Nikolai Pashinyan.

Marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë problematike që nga fillimi i viteve 1990, kur Armenia pushtoi Nagorno-Karabakun dhe shtatë rajone të tjera fqinje që janë pjesë sovrane e territorit të Azerbajxhanit.

Gjatë konfliktit 44-ditor që filloi në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe 300 vendbanime e fshatra që Armenia i kishte mbajtur ilegalisht nën okupim për gati 30 vjet.