Presidenti i vendit Ilir Meta, përmes një satusi në facebook, ka përkujtuar poetin e ndjerë shkodran Migjeni në 109-vjetori e lindjes së tij. Presidenti shprehet se Migjeni është një poet i cili nëpërmjet penës i jep një simbolizëm të fuqishëm të revoltës mbarëpopullore ndaj padrejtësive në çdo kohë.

Meta risjell në vëmendje gjithashtu disa nga vargjet e fuqishme të Migjenit, të cilat sipas tij shprehin shpresën për një të ardhme më të denjë.

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di! Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote! Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.”shkruan Meta.

Postimi i plotë: Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë.

Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik.

Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë.

Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare.

Por veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt.

Aq bukur ajo shprehet në vargjet: “Rini, thueja kangës ma të bukur që di! Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote! Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.”

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re