Një Reflektim mbi Rininë dhe Realitetin Politik në Shqipëri
Një mori ndjenjash të përshkojnë kur shikon të rinjtë e Partisë Socialiste. Keqardhje për ëndrrat e tyre të thyera, që janë të dukshme në fjalimet e tyre. Keqardhje për boshllëkun ku ndodhen dhe mungesën e shpresës.
Si të rinj, ata e kanë kuptuar se, pa i bërë qejfin eprorëve të partisë, ashtu si në kohën e Enver Hoxhës, nuk mund të çash përpara në jetë.
Djali nga Përmeti, pa diskutim entuziast, ndoshta edhe një nxënës i mirë, por nga fjalimi i tij , kuptohet haptazi se gënjen kur thotë se është investuar në arsim, infrastrukturë etj., të vjen keq. Ai e ka kuptuar realitetin dhe, do apo nuk do, i thur lavde partisë.
Ndërsa djali tjetër, që me aq zell i thuri lavde partisë si pionerët e vegjël, duke e quajtur partinë lule dhe veten petale… Më vjen keq edhe për të, pasi është detyruar, ashtu si gjithë të tjerët. Njësoj si në kohën e qoftëlargut, ku doje apo nuk doje, do të thurje vargje heroike, poetike, stoike për nënën parti.
Një tjetër djalë e krahason PS-në me diellin dhe anëtarët si planetë, duke e tejkaluar akoma më shumë notën e servilizmit. Rinia nuk është servile dhe as frikacake, por këta duan ta bëjnë të tillë. Asnjë i ri i Partisë Socialiste, apo edhe i partive të tjera, nuk është aty ku duhet.
Shkolla pa ngrohje, konvikte të lodhura, një sistem arsimor i këputur në mes, ekonomi e drobitur, si gomari në duhan nga ata që rrinë ulur aty. Të vjen keq kur mendon se në Shqipërinë e 2025-ës gjykohesh ende për partinë që mbështet.
Nëse je anëtar i partisë në pushtet, ke prioritet, ndërsa nëse je me opozitën, syrgjynosesh dhe sakatosesh.
Rinia është ajo që ëndërron.
Rinia është ajo që guxon.
Rinia është ajo që thyen idhujt.
Rinia është ajo që hedh në plehra diktaturat.
Rinia është ajo që nuk e nderon as Kryetarin, as Sekretarin e Partisë.
Rinia është e ardhmja – pa rini nuk ka Shqipëri.
Rinia është ndryshimi.
