Gjykata Kushtetuese ka rinisur pas një orë pushimi seancën me diskutimet përfundimtare për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. 

Ditën e sotme, përfaqësuesit e Presidentit paraqitën përgjigjet për 72 pyetjet që patën anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe përfaqësuesit e Kuvendit si palë në gjykim, gjatë seancës së kaluar.

Pas kësaj, gjykata vendosi 1 orë  pushim që pala mbrojtëse të përgatitej për konkluzionet përfundimtare.

Pasi rinisi seanca në orën 12:00, e para  që parashtroi diskutimet përfundimtare ishte Klotilda Bushak, si përfaqësuese e Kuvendit. Ajo kërkoi që Meta të shkarkohej pasi ka shkelur rëndë kushtetutën. Bushka përmendi të gjitha shkeljet e Metës sipas vlerësimit të Kuvendit.

“Kuvendi vlerëson se presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Ilir Metës. Me anë të këtij vendimi të vendosen standarde që askush të mos shkelë Kushtetutën. Presidenti jashtë kompetencës së tij ka shpërndarë sulme ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në vendin tonë. Ka shkelur parimin e kushtetutshmërisë për ruajtjen e balancave. Ka shkelur betimin e Kushtetutës për t’i shërbyer interesit të popullit.

Në shumë nga daljet e veta publike presidenti ka përdorur një retorikë dhune. Kjo retorikë ka pasur përshkallëzim të fortë deri në përfundim të fushatës. Të gjitha sa përmenda janë shkelje kushtetuese qe përmbajnë shkelje të betimit të presidentit. Asnjë nga veprimet e presidentit nuk parashikohen si kompetencë e tij. Shkeljet e presidentit janë të renda për shkak se cënojnë pozicionin e presidentit, shkelje që lidhen me integritetin që kërkon procesi zgjedhor, që lidhen me sigurinë në vend dhe marrëdheniet me jashtë. Edhe presidenti vetë shpresoj unë, është i vetëdijshëm për këto shkelje”, tha Bushka.

Ndërkohë përfaqësuesit e Presidentit i çuan gjykatës përgjigjet e 72 pyetjeve që i drejtuan gjyqtarët kushtetues dhe Kuvendi si palë kërkuese.

Bledar Dervishaj ka thënë se raporti i Komisionit të Ligjeve nuk ka qenë miratuar kur u përcaktua seanca plenare. Po ashtu ai ka thënë se gabim ka qenë urgjenca se si janë sjellë provat në Kuvend.

“Nëse do të krahasojmë pikën 20 të urdhrit të kryetarit, me pikën 20 të rendit të ditës, edhe titulli ndryshon. Kjo vë në dyshim të fortë vërtetësinë e provave të sjellë. Gabimi më trashanik është urgjenca sesi është sjellë kjo provë e Kuvendit, e cila nuk është  e vërtetë, por ka si qëllim të hedhë poshtë atë çka pretendon presidenti”, është shprehur Dervishaj.

Më tej ai ka folur edhe për pretendimet për ndërhyrjen e Presidentit Meta në zgjedhje.

“Presidenti ka komunikuar me letër me Komisionerin Shtetëror, ku kërkonte që i gjithë kabineti i Presidentit të marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Celibashi i bëri me dije të presidentit që së bashku me kabinetin e tij mund të merrte pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Prandaj ndërhyrja e Presidentit në vëzhgimin e ligjeve ishte legjitime”, ka argumentuar Dervishaj.

Pasi Dervishaj paraqiti me zë disa deklarata të Kryeministrit Edi Rama për Presidentin dhe patronazhistët, përfaqësuesja e Presidentit, Klotilda Bushka kërkoi që të kalohet në diskutimet përfundimtare.

“Nuk është në rolin e Presidentit t’i përdorë këto situata a thua se është ndonjë konkurrent nga ndonjë parti tjetër. Provat janë të pavlefshme sepse nuk tregojnë shkakun pse presidenti ka bërë ato akte”, tha Bushka.

Gjatë seancës së parë të mbajtur të hënën e javës së shkuar, gjykata rrëzoi një kërkesë të presidencës për dorëheqje të disa gjyqtarëve nga shqyrtimi i çështjes, me pretendimin se ata ishin në konflikt interesi apo se u kishte mbaruar mandate.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re