Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi sot se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm.

Ai gjatë një takimi me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Mattheë Palmer, ka thënë se dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.

Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai – në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatimit të tyre.

Ambasada e SHBA-së, në faqen zyrtare në Facebook, takimet e Palmer dhe Lajçak me liderët e Kosovës i ka quajtur konstruktive.

Ndryshe, arsyeja e vizitës së Palmer në Kosovë është përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodhë diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, citohet të jetë bërë edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

 

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re