VALENTINA MADANI/ Kryesia e Partisë Demokratike të Rithemelimit e drejtuar nga Sali Berisha zgjodhi dje katër koordinatorët që do të punojnë për organizimin e partisë.

Koordinatorët e përzgjedhur janë Bardh Spahia, Klevis Balliu, Aurel Bylykbashi dhe Arben Qiriako. Ata do të kenë për detyrë të organizojnë qytetarët në terren dhe organizimin e protestave që mund të mbahen në të ardhmen nga opozita.

Po ashtu, koordinatorët do të kenë kontakte të vazhdueshme me degët e partisë, duke raportuar gjithçka tek strukturat më të larta të PD-së. Ideja e koordinatorëve u miratua në mbledhjen e Kryesisë së PDsë në muajin dhjetor, ku u vendos dhe ndarja e Shqipërisë në katër rajone, veri, jug, Tiranë dhe Shqipëri e Mesme.

Katër koordinatorët e përzgjedhur do të organizojnë aksionin opozitar dhe si do të vazhdojë protestat, duke punuar me Sekretarin Organizativ Ervin Minarolli. Sekretari i përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit, Flamur Noka, në një deklaratë për media, zbardhi diskutimet në mbledhjen e Kryesisë. Ai tha se diskutuan të gjitha format e diversifikimit dhe përshkallëzimit, ku paralajmëroi protesta në të gjithë vendin.

“Vendimet për të përjashtuar dhe shpallur armiq deputetët e opozitës, të cilët në seancën e fundit demonstruan krejtësisht brenda rregullores, me pankarta, tregon se regjimi ka një vullnet për të asgjësuar çdo gjë, forcë dhe kundërshtar që nuk mund të hyjë në kthetrat e tij. Rama po hedh hapat më të rrezikshëm të instalimit të një neodiktature. PD është e vendosur të qëndrojë përballë dhe diskutuam format e diversifikimit dhe përshkallëzimit duke e çuar me mosbindje civile. U diskutuan dhe format e përshkallëzimit që do të zbresim në të gjitha degët e Shqipërisë, do të ketë protesta në të gjitha rrugët”, – tha Noka. Ndër të tjera, deputeti demokrat foli dhe për 4 koordinatorët, për të cilët tha se do të jenë ndihmës në çështjet e organizimit të partisë, ndërsa për Belind Këlliçin tha se do të jetë drejtues politik i Tiranës. “Zyra e organizimit do të forcohet me 4 koordinatore, Këllëçi do të jetë drejtues politik i Tiranës. Janë ndihmës në çështjet e organizimit të partisë. Çështje ditësh do të merrni vesh për bashkimin e PD-së”, – deklaroi Flamur Noka.

REAGIMI

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehu dje rezerva për aksionin opozitar duke theksuar se ka ardhur koha që opozita të prezantojë vizionin e programin e saj për të ardhmen. Gjatë një konference me gazetarët, aleati i afërt i liderit të demokratëve Berisha theksoi se në kampin opozitar duhet të ketë një koordinim me të mirë për aksionin politik.

“Opozita e ka të domosdoshme një qasje më gjithëpërfshirëse, një bashkërendim më të mirë në Kuvend e këshilla, ashtu siç e ka të domosdoshme paraqitjen e një alternative gjithëpërfshirëse për të ardhmen”, – theksoi Ilir Meta.

Kreu i PLsë reagoi edhe në lidhje me vendimin e Sekretariatit të Etikës, për përjashtimin me 20 ditë të deputetit Ervin Salianji dhe me 10 ditë për 18 deputetë të tjerë të opozitës, duke e konsideruar një agresion ndaj opozitës.

Në konferencën për shtyp, Meta u shpreh se ndëshkimet ndaj deputetëve opozitarë, bëhet për shkak se mazhoranca ka tmerr nga fjala e lirë dhe llogaridhënia. Sipas Metës, aksioni opozitar nuk ka ndaluar.

“Nuk mund të flas në emër të të gjithë opozitës. Opozita është në një dinamikë të vazhdueshme. Ne, ditën e enjte do të mbledhim Komitetin Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë dhe do të shprehim vlerësimet tona lidhur me situatën në vend, por edhe me qasjen që opozita duhet të ketë për situatën aktuale. Aksioni opozitar nuk ka ndalur asgjëkund. Ashpërsimi i masave ndëshkuese tërësisht të papranueshme dhe që tregojnë një degradim të këtij regjimi hibrid, regjimi autokratik, regjimi që ka tmerr nga fjala e lirë e opozitës, ka tmerr nga llogaridhënia, tregojnë se opozita ka qenë dhe është në aksion të vazhdueshëm, ashtu siç është nën agresion të vazhdueshëm, që duhet ta përballojë me një qasje më gjithëpërfshirëse”, – deklaroi kreu i PL-së.

Vetë Meta zgjodhi që të ngrejë problematikën e shtresës së pensionistëve në Shqipëri. Sipas Metës, përballë rritje së çmimeve ndodhen në kufijtë e varfërisë pas pensioni mesatar në qytet është vetëm 18 mijë lekë dhe ai në zonat rurale është 11 mijë lekë.

“Me këto nivele të larta të çmimeve, një pensionist në qytet i cili shpenzon mesatarisht 59% të pensionit për ushqim ose 11116 lekë në muaj, ose 364 lekë në ditë, me të cilat mund të blejë: 1 kafe me çmim 65 lekë, 1 gote qumësht me çmim 43 lekë, 1 gotë kos me çmim 45 lekë, 100 gr djathë me çmim 80 lekë, 400 gr bukë me çmim 35 lekë, 1 gjellë në drekë pa mish me çmim 100 lekë”, – u shpreh Meta. Sipas tij, qeveria mban përgjegjësi për 690 mije pensionistet që ka sot Shqipëria, të cilët nuk përballojnë dot as shpenzimet minimale për të jetuar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re