Skip to content

Rinisja e shkollës/ Zamira Gjini shpjegon si do të veprohet nëse infektohet një mësues

Të hënën do të rinisë shkolla, në kushte të reja për shkak të pandemisë. Duke qenë se ky është një vit ndryshe nga të tjerët, Ministria e Arsimit ka hartuar një protokoll që udhëzon si do të veprohet. Në rast se një mësues infektohet, ai do të zëvendësohet me një tjetër. Këtë e bëri të ditur Drejtorja e Politikave të Arsimit, Zamira Gjini për “Vizion Plus”. Gjini deklaroi se janë 1 mijë mësues në të gjithë vendin që qëndrojnë gati për të zëvendësuar.

 

“Nëse mësuesi do të jetë i infektuar, pas identidfikimit të infektimit, do të zëvendësohet me një mësues tjetër. Ministria ka marrë masa dhe ka një buxhet të dedikuar vetëm për mësuesit që do të jenë në kuadër të shtesës mësimore. Është një buxhet që parashikon një shtesë të numrit të mësuesve deri në 1 mijë mësues. Të gjithë ata mësues që do të kenë ngarkesë, do të paguhen. Do të ketë koordinim. E rëndësishme është që ne do të kemi menjëherë mësuesin zëvendësues që nxënësit të mos mbeten pa mësim. Mund të ketë edhe raste kur mësuesi të zhvillojë online mësimin për ndonjë temë të caktuar.”

 

 

Gjini dha gjatë ndërhyrjes për edicionin e lajmeve se janë marrë të gjitha masat në shkolla për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Sipas saj, në çdo shkollë ka dezinfektantë për duart, ujë të rrjedhshëm dhe sapunë të lëngshëm.