Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sot në konferencën për mediat lidhur me procesin e rinumërimit të votave nga zgjedhjet e 11 Majit.
Berisha tha se rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë.
Sakaq ai theksoi se rinumërimi nuk është një kërkesë primare e PD.
“Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve dhe unë mund tu them se 3 janë linjat kryesore të kontrollit që ne bëjmë”, theksoi kryedemokrati.
Berisha: Numërimi i votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë. Nuk është një kërkesë primare e PD, jo dhe jo, ta ketë të qartë çdo njeri. Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve dhe unë mund tu them se 3 janë linjat kryesore të kontrollit që ne bëjmë.
Së pari kamerat, që kanë zbuluar në mënyrë të përsëritur trenin bullgar. Kanë zbuluar akte më të shëmtuara që damkosin farsën, një proces i paligjshëm.
E dyta janë administrimi i qendrave të votimit, kutive të votimit, materialeve të votimit dhe proces verbaleve të votimit.
E treta janë plotësimi i kërkesa të kandidatëve tanë që kanë pretendimet e tyre dhe ne kurrë nuk mund që të mos mbështesim transparencën. Çdo ditë do faktojmë para jush se çfarë farsë e shëmtuar është bërë më 11 maj.