Beratin e kanë përfshirë ‘’ethet’’ e futbollit nga nisja e janarit për mundësinë e afrimit të një sponsori që do i ndryshonte fytyrën skuadrës. Edhe njëhërë është rishfaqur emri i biznesmenit të fuqishëm beratas, Pëllumb Salillari.

E gjithë kjo histori nisi në fundin e muajit dhjetor kur Bashkia Berat aktualisht e vetmja aksionere e 100% të aksioneve, e cila pas nxjerrjes së buxhetit të sportit për këtë bashki ka bërë edhe një përcaktim të rëndësishëm. Tomori është në shitje dhe kjo hap rrugën për nisjen e bisedimeve me një biznesmen serioz.

Pas kësaj një grup tifozësh beratas nisën një letër kërkesë ndaj Salillarit duke i kërkuar atij nisjen e bisedimeve me Bashkinë Berat për blerjen e 76% të aksioneve të klubit, ashtu si e përcakton ligji. Përgjigja e parë e Pëllumb Salillarit ishte negative pasi ai për problem familjare e shihte të pamundur angazhim pranë Tomorit.

Por pikërisht këtu nisi një lojë e ‘’pisët’’ në rrjetet sociale kur një personazh nisi të shfaqej, si Edison Salillar, i biri i Pëllumbit dhe se ishte gati për nisjen e bisedimeve për blerjen e aksioneve të Tomorit. Madje përcaktoj edhe takime me tifozët dhe drejtuesit e Bashkisë.

Por sot ka ardhur një tjetër lajm që ndryshon sërish historinë pasi Pëllumb Salillari është kontaktuar nga një faqe facebook-u e administruar nga tifozë beratas dhe ka konfirmuar dëshirën e tij për të nisur bisedimet për blerjen e aksioneve dhe këtë herë është ai i vërteti.

Tashmë tifozëve beratas u duhet të presin zhvillimin e ngjarjeve të tjera dhe mundësinë e një takimi mes Kryetarit të Bashkisë, Petrit Sinaj dhe presidentit të kompanisë Salillari LTD, Pëllumb Salillari.

Na duhet vetëm të presim me qetësi ecurinë e ngjarjeve në vazhdim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re