Në një kohë kur vëmendja e mjekëve është përqendruar tek gripi stinor, mjekët thonë se është rikthyer sëmundja infektive që në gjuhën popullore njihet si zgjebja. Sipas bluzave të bardha sëmundja ngjitësve nuk shfaqet vetëm tek personat me probleme me higjienën personale. Më të rrezikuar janë fëmijët dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese.

Tirane- Sëmundja infektive e Skabjes që njihet ndryshe në gjuhën popullore si sëmundja e zgjebes është rishfaqur në vendin tonë. Sipas bluzave të bardha ditët e fundit ka pasur një shtim të rasteve të diagnostikuar me këtë patologji.

“Zgjebja ka qenë gjithmonë e pranishme mes nesh, por vëmë re shtim të rasteve.’- thotë mjekja Violeta Dajçi, dermatologe në QSUT.

Nëse dikur konsiderohej si sëmundje e turpshme që prekte personat që nuk mbajnë higjienë personale, mjekët thonë se tashmë situata ka ndryshuar. Zgjebja prek këdo që bie në kontakt me këtë infeksion. Pavarësisht këtij fakti, sipas bluzave të bardha më të riskuar janë fëmijët dhe të diagnostikuarit me sëmundje bashkëshoqëruese.

‘Ka filluar të ndryshojë mënyrën e sjelljes ku në përgjithësi skabja është njohur si një parazit që prekte personat që nuk kanë higjiene të mirë personale, tani është ndryshe ajo zgjedh dhe kryesisht janë njerëz që duken se janë shumë të kujdesshëm për higjienën e tyre personale dhe e marrin këtë sëmundje. Ka ikur ai mentaliteti i sëmundjes së turpshme, është një sëmundje që mund të prek këdo që bie në kontakt me të.  Kjo sëmundje prek të gjitha moshat, por më shumë fëmijët, personat që kanë kryer transplante, që janë mbartës të sëmundjeve të tjera si infektive, probleme të shëndetit mendorë, etj”.’- thotë mjekja.

Por në cilat pjesë të trupit shfaqet më shumë paraziti i zgjebes, që shkakton kruajtje të vazhdueshme dhe irritim të lëkurës?

‘Kyçet e duarve, parakrahët, organet gjenitale’- tha mjekja.

Ashtu si në çdo rast kur bëhet fjalë për shëndetin, mjekët këshillojnë qytetarët që të paraqiten tek mjeku për diagnostikim të saktë, sapo kanë dyshime se mund të jenë prekur nga zgjebja.

‘Kryesisht mjekimi bëhet me anë të të kremrave ose pomadave që janë me bazë squfuri ose të permetrinës, që në fakt është edhe emri që shkakton skabjen. Mjekimi është individual, jo çdo person  mjekohet njëlloj. Nganjëherë është vetëm skabja dhe mund të jenë fillimet e saj, por në raste të tjera mund të ketë mbivendosje të organizmave të tjera mikrobial ose të mykrave që e shkaktojnë e përkeqësojnë ose edhe e ngatërrojnë diagnozën.’- u shpreh mjekja Dajçi.

 

Burimi-Shqiptarja.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re