VALENTINA MADANI/ Ish-Presidenti Bamir Topi në emisionin “Frontline” në “News24” foli dje për situatën politike në vend, ndërsa komentoi edhe takimin e ish-kreut të PD-së Lulzim Basha me të rinjtë, për të cilën tha se asgjë nuk ishte e paparashikuar.

Gjithashtu, gjatë kësaj interviste, Bamir Topi ishte kritik ndaj opozitës, për të cilën tha se është në situatën e saj më të keqe. Sa u përket deklaratave të ish-Kryeministrit Sali Berisha lidhur me një rikthim të mundshëm të Lulzim Bashës, Bamir Topi tha se është e drejtë e çdo individi, por theksoi se duhet të japë shumë sqarime dhe të bëjë transparencë.

“Nuk ishte asgjë e paparashikuar. Ndonjëherë ne tentojmë të diskutojmë vetëm ecurinë dhe fatin e një partie, përjashto PS që është në pushtet dhe gëzon shëndet të plotë për shkak të të gjitha mundësive që të jep qeverisja, por edhe me një lloj raporti psikologjik që është tek njerëzit. Me sa duket interesat kanë përfunduar aq poshtë sa njerëzit diskutojnë për bukën e gojës dhe detyrohen të ndjekin pushtetin në fushata elektorale. Krahu tjetër pastaj nuk ke ku ta kapësh. Unë tentoj të shoh përtej PD, sepse ka një numër të madh të partive opozitare. Në këto zgjedhje nuk u futën në koalicion dhe kjo asnjëherë nuk u sqarua”, tha ish-Presidenti, duke shtuar: “E shoh si një të drejtë të individit që të shfaqet apo zhduket në moment që vendos të mos jetë në mjedis. Nuk duhet harruar që është deputet dhe në njëfarë mënyrë dalja e tij justifikohet. Por, mendoj që i takon zotit Basha që të shprehet sepse ende ka një lloj misteri. Ndërsa me kalimin e ditëve besoj do të bëjë transparencë për mungesën e tij dhe pse është kthyer”, deklaroi Topi.

Pyetjes a kishte arsye për t’u kthyer pas një viti, ai iu përgjigj: “Nuk mund të paragjykoj, sepse nesër mund të thotë diçka që deklarata ime të konsiderohet si paragjykuese. Ai u shfaq dhe unë uroj që të vijë në studio, dhe pastaj ju bëjini skanerin e plotë sepse edhe ai është i detyruar të japë disa sqarime. E gjithë klima e supozimeve është e tillë se ai asgjë nuk ka bërë pa miratimin e Berishës dhe sjellja e Bashës, ka qenë gojëmbyllur. Njerëzit janë mësuar të gëlltisin grepin, fjalën e bukur, një premtim dhe pas çdo palë zgjedhjeve gëlltisin dëshpërimin. Niveli i kulturës politikë të shoqërinë ku unë bëj pjesë është dukshëm nën nivelin e shoqërive të Ballkanit”, deklaroi Bamir Topi.

Ish-presidenti tha se ka ardhur koha që “lokomotiva e vjetër’ të shkojë për skrap”. “Kjo lokomotive kaq e vjetër e kohës së sovjetikëve duhet të shkojë për skrap. Të rinjtë kanë kohë të korrigjohen”, theksoi Bamir Topi. Sa i përket rritjes së pagave të deputetëve dhe ministrave, ai shtoi se do të ishte më e arsyeshme që të merreshin në konsideratë pensionistët, pasi shumë prej tyre theksoi Topi nuk arrijnë të marrin as ilaçet. “Ata që duhet të flasin janë grupi i madh i pensionistë që nuk arrijnë të marrin ilaçet dhe që janë të gjithë të sëmurë kronikë. Pra nëse ka dëshirë për të rregulluar pagat, duket të ketë kujdes që të operohet dhe me pagat e tjera. Pasi krijon diferenca të mëdha dhe shoqëria ndahet në dy pjesë të larta. Do ta justifikoja rritjen e pagës nëse ato së paku 10 % e tyre të artikuloheshin në parlament. Nuk e di a bëhet ndonjë studim? Deputetet janë kthyer sot në mekanizma ule-ngrije…Vetëm një funksion mekanik”, deklaroi Bamir Topi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re