Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur konsultimet publike për projektligjin “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”. Me anë të këtij propozimi, shfuqizohet Ligji Nr. 9106, datë 17.03.2003 “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili është miratuar përpara 18 vjetësh, një periudhë gjatë së cilës, sfidat aktuale të sistemit shëndetësor nuk mund të adresohen më nëpërmjet tij.

Shoqata Together for Life ishte pjesë e këtij procesi konsultues, duke ofruar kontribut në disa çështje. Në qendër të ndërhyrjes së TFL-së ishte që në projektligj prioritet ti jepet garantimit të ofrimit të shërbimit shëndetësor cilësor për pacientët brenda shërbimit spitalor.

Ligji të përcaktojë qartë mënyrën e funksionimit të sistemit, veçanërisht në rastet kur ligji parashikon reforma të reja; të rregullojë marrëdhënien mjek-pacient dhe të garantojë dinjitetin e pacientit dhe mjekut.

Disa nga risitë e projekt ligjit “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, parashikojnë:

Ndryshimin e organizimit të sistemit spitalor publik; nga sistem me 4 nivele: (spitale ditore; spitale në nivel bashkie; spitale qarku; spitale terciare), në një sistem me 6 nivele ( spitale ditore, spitale në nivel bashkiake, spitale në nivel qarku, qendër spitalore rajonale, spitale terciare, spitale/qendra spitalore universitare.

Autonomisë spitalore i vendoset një theks i veçantë. Sipas parashikimeve të tij, dhënia e autonomisë spitalore bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe mbështetur në kërkesën e vetë spitalit.  Projektligji përcakton kriteret për përfitimin e autonomisë spitalore, funksionin e Rregullores së Autonomisë Spitalore, procedurën për aplikimin për autonominë spitalore, përmbajtjen e Kartës së Autonomisësi. Veprimtaria e spitalit publik autonom mbikëqyret nga Ministria, sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërkohë përveç autonomisë spitalore, disa çështje të tjera që projektligji rregullon janë

  • parimet e ofrimit të shërbimit spitalor
  • roli i ministrisë përgjegjëse për shërbimin spitalor
  • rëndësinë e planifikimit spitalor
  • rolin e Komitetit Kombëtar për Planifikimin Spitalor
  • ofrimin e shërbimit spitalor për shtetasit e huaj
  • akreditimin Spitalor
  • kategoritë e spitaleve publike të cilat zgjerohen me anë të këtij projektligji,
  • mekanizmin e referimit në shërbimin spitalor dhe financimin e spitalit publik.

Një aspekt tjetër i veçantë që projektligji sjell janë edhe parashikimet për praktikën e dyfishtë. Spitali publik mund t’i krijojë hapësira mjekëve për të sjellë pacientë privatë jashtë orarit të tyre të punës për diagnostikim, ndërhyrje kirurgjikale, trajtim dhe rikuperim pa cënuar ofrimin e shërbimit spitalor publik, sipas përcaktimeve të bëra me urdhër të Ministrit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re