Ristrukturimi i kredive ka ecur me ritme të shpejta gjatë javëve të fundit. Ky proces, i nisur pas një rregulloreje të Bankës së Shqipërisë dhe urdhri të përbashkët mes Guvernatorit dhe Kryeministrit, u mundëson bankave dhe klientëve që të negociojnë për shtyrjen e kredive për tre muaj.
Burime nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur se është ristrukturuar kredi me një vlerë totale prej rreth 1 miliard euro. Kjo shumë është sa rreth 24% e kredisë që është dhënë në ekonomi për biznese dhe individë dhe është ende e pakthyer.
Si rrjedhojë e këtij procesi të ristrukturimit janë shtyrë mbi 200 milionë euro pagesa të kësteve të kredisë për tre muaj, duke u dhënë në këtë mënyrë frymëmarrje sipërmarrjeve dhe individëve.
Bankierët kanë pohuar më herët për Monitor se procesi po ecën me shpejtësi dhe disa banka me nismë personale po e shtyjnë këtë proces edhe përtej tre muajve. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, tha se “Intesa Sanpaolo Albania (duke ndjekur një qasje të ngjashme të aplikuar në Itali nga Grupi mëmë) ka vendosur në mënyrë autonome të zgjasë të ashtuquajturën “periudhë pezullimi ose moratorium” deri më 31 korrik. Por afati i 31 korrikut mund të zgjatet më tej për 3/6 muaj të tjerë, në varësi të evolucionit të situatës”.
Edhe Banka Kombëtare Tregtare përllogarit se efektet e ristrukturimit do të shtrihen përtej tre muajve. “Patjetër që efektet e kësaj situate do të zgjasin përtej periudhës tremujore, të parashikuar në këtë vendim, pasi një pjesë e bizneseve vazhdojnë të jenë të mbyllura”, sqaruan burimet zyrtare të Bankës Kombëtare Tregtare.
Bankat në tërësi po ofrojnë kushte lehtësuese për të gjithë klientët në vështirësi. Delina Millona, Menaxhere e Riskut Strategjik për Retail e Raiffeisen, tha se për ristrukturim të kredisë në Raiffeisen Bank, mund të aplikojnë të gjithë klientët, të cilët kanë pësuar humbje financiare si pasojë e masave shtrënguese apo mbylljes së përkohshme të aktivitetit.
Credins Bank ka planifikuar të përfshijë në procesin e ristrukturimit të gjithë klientët e portofolit të kredisë, duke filluar nga individët e duke përfunduar me bizneset e mëdha, legjitimohen të bëjnë kërkesë për këtë trajtim. Duhet theksuar se përfitimi i këtij lehtësimi gëzohet vetëm nga klientët që janë prekur nga situata e virusit COVID -19, sqaroi Soni Thano, Drejtore e Divizionit të Administrimit të Riskut.
Bledar Shella, Drejtori i Përgjithshëm i OTP Albania, tha se për një pjesë të madhe të bizneseve që kanë kredi bankare, shtyrja e pagesave do të thotë kompensim i mungesës së likuiditetit nga stopimi / reduktimi i të ardhurave të aktivitetit. Për disa prej tyre, diçka e tillë mund të jetë kritike për ekzistencën e mëtejshme të biznesit. Për individët, lehtësimin e stresit të momentit. Me rikthimin e situatës në normalitet, klientët do të zgjedhin opsionin e tyre të preferuar për shlyerjen e pagesave të akumuluara gjatë kësaj periudhe.
Flutura Veipi, drejtore e përgjithshme e Union Bank tha se mbi 60% e kërkesave janë në një situatë pezullimi të përkohshëm aktiviteti apo të ardhurash, por pjesa tjetër tregon një impakt në ulje të të ardhurave, e cila do të prekë aktivitetin tregtar apo dhe njësinë familjare në një periudhë përtej maj 2020. Ajo shton se ka dhe kërkesa që tani për shtyrje 6-mujore të pagesave të kredisë apo dhe kreditim shtesë për të qenë korrekt me detyrime operacionale, kur aktiviteti preket dhe nga vonesa në arkëtime kur është aktivitet eksportues dhe vështirësitë vijnë prej bllokimeve globale si pasojë e shtrirjes së pandemisë në çdo cep të botës sot.
Kërkesat për shtyrje pagese kësti kredie kanë qenë kryesisht nga ndërprerja e aktivitetit tregtar, apo prodhues, si pasojë e situatës së krijuar në Shqipëri dhe në botë nga koronavirusi, tha Anila Daci, Drejtore e Divizionit të Korporatave në ABI Bank.
Kredia e re përgjysmohet në mars
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në mars, në gjysmën e të cilit ekonomia pothuajse u paralizua nga masat për frenimin e infeksionit të COVID-19, është shënuar rënie të ndjeshme të kredisë së re. Huaja e re e dhënë në lekë ishte 6.4 miliardë lekë, që është sa gjysma e mesatares mujore të kredisë së re të dhënë përgjatë vitit 2019. Më e thellë ka qenë tkurrja e kreditimit në euro. Sipas statistikave të bankës, në mars u dhanë 32 milionë euro kredi në monedhën e përbashkët, që është niveli më i ulët mujor i raportuar që nga viti 2015, kur banka e publikon këtë lloj treguesi. Në krahasim me mesataren mujore të 2019, huaja në euro rezulton sërish e përgjysmuar.
Stoku i kredisë për ekonominë në fund të muajit mars arriti në 597 miliardë lekë, ose rreth 4.7 miliardë euro. Kjo është shuma që është marrë hua në banka nga bizneset dhe individët dhe që është gjendje (pra do të duhet të kthehet gradualisht sipas planeve të pagesës). Rreth 49% e saj është në valutë. /Monitor