Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Rita Ora, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryetarit të Bashkisë së Tianës, Erion Veliaj për t’u rikthyer me një koncert madhështor në Tiranë.

 

Koncerti do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, në mbrëmjen e 6 shtatorit, për të festuar Tiranën si Kryeqytetin Europian të Rinisë 2022. Hyrja do të jetë falas për të gjithë.

 

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja Rita Ora përmes një postimi në rrjetet sociale.

 

“Jam shumë e emocionuar dhe e nderuar që rikthehem në Tiranën time të dashur. Erion Veliaj më ftoi të performoj në një koncert, falas për të gjithë, për të festuar së bashku vitin e Tiranës – Kryeqyteti Europian i Rinisë! Në 6 shtator, Sheshi Skënderbej”, shkruan Rita Ora.

 

Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

 

Tirana EYC 2022 paraqitet si një makroprogram prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re