Komisioni Qendror i Zgjedhje ka ndarë fondet që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit, ku PS ka siguruar pjesën më të madhe të “tortës”, ndërsa “Rithemelimi” i Sali Berishës s’ka marrë asnjë lekë.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celbashi deklaroi se shuma që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit për vitin 2024, është si vijon:

Partia Socialiste 151.494.783 lekë

Partia Demokratike 106.661. 181 lekë

PDIU 9.753.658 lekë

PBDNJ 8.180.647 lekë

Partia Republikane 11.488.669 lekë

PAA 8.180.647 lekë

LZHK 8.180.647 lekë

Partia Lëvizja e Legalitet 8.180.647 lekë

Partia e Lirisë 15.577.215 lekë

Partia Social Demokrate 12.266.269 lekë

Nisma Thurje 6.283.636 lekë

“Secila prej tyre do ta marrë shumën në kushtin që të kenë depozituar në KQZ brenda datës 31 mars raporton financiar për shpenzimet dhe të ardhurat për vitin që shkoi, atë 2023. Përndryshe këto fonde nuk do t’i shpërndahen”, u shpreh Celibashi.

Si ndahet buxheti

Fondet vjetore përcaktohen në bazë të numrit të deputetëve dhe votave që ka marrë secila forcë politike në betejën e fundit parlamentare.

Shuma në total që përfitojnë partitë politike nga buxheti i shtetit kap shifrën e 345 milionë lekëve dhe pjesën e ‘luanit’ e ka narrë Partia Socialiste, e cila arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme për të qeverisur e vetme.

74 mandatet e fituara përkthehen në 151 milionë lekë për selinë rozë.  Që pas parlamentareve të 2021-it, që përcakton sasinë e lekëve që arkëton secila parti në bazë të numrit të deputetëve dhe votave, shuma është e njëjtë.

Ndryshimi për këtë vit është se partitë janë më të uritura për lekë, pasi 2024 është një vit zgjedhor. Si forca me numrin më të madh të kartonëve në Parlament, Partia Socialiste do të ketë në dispozicion mbi 151 milionë lekë për të shpenzuar. Me një diferencë jo të thellë është ajo Demokratike, me mbi 106 milionë lekë.

Ndryshimi me socialistët është se paratë shkojnë të gjitha në arkën e Lulzim Bashës, që sot e mbështet një pakicë deputetësh demokratë. Kjo do të thotë që edhe për këtë vit mbështetësit e dy grupimeve Gazmend Bardhit dhe Sali Berishës do të mbeten duarbosh.

Në arkën e Partisë së Lirisë, KQZ-ja do të derdhë mbi 15 milionë lekë. Pas tre të mëdhenjve vjen Tom Doshi. Tre deputetët e tij social-demokratë vlejnë mbi 12 milionë lekë. Nga buxheti i shtetit për politikën përfitues janë edhe parti me zero përfaqësi në Parlament. Këtë ua mundëson ligji.

Mjafton që të kenë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit dhe arka e tyre mbushet me para. Për shembull, për “Nisma Thurje” mbi 6 milionë lekë. Nga “torta” prej 345 milionë lekësh, përfituese janë 11 parti. Për dhjetë prej tyre financierët e kanë më pak të komplikuar shpenzimin e buxhetit vjetor. Te Partia Demokratike e Lulzim Bashës do të duhet të presim fundin e marsit, kur dorëzohet bilanci i një viti më parë, për të kuptuar sesi do t’i harxhojë 106 milionët e radhës. Fondet vjetore përcaktohen në bazë të numrit të deputetëve dhe votave që ka marrë secila forcë politike në betejën e fundit parlamentare.

 

Partia e Lirisë në zgjedhjet e fundit parlamentare zbriti në nivelin e vitit 2009, duke siguruar vetëm 4 mandate, që përkthehet në më pak para për arkën e partisë, rreth 15 milionë lekë, ndërkohë për tri mandatet e PSD, do të thotë 12 milionë lekë në arkën e partisë.

Krahas partive të mëdha, para do të përfitojnë edhe subjektet garuese, të cilat edhe pse nuk arritën të sigurojnë një ulëse në Parlament, kaluan pragun e votave për të përfituar nga ‘thesi’ i parave që ndan buxheti i shtetit. Zgjedhjet vendore të vitit që lamë pas e gjetën Berishën pa fonde për fushatën. Në atë kohë 102 milionë lekë i kaluan PD-së zyrtare, e cila drejtohej nga Enkelejd Alibeaj, që garoi në vetëm 14 bashki.

Përplasja mes së djathtës duket se do të rikthehet kur KQZ po ndan buxhetin për 12 muajt në vijim. Nga fondi 345 milionë lekësh, PS e PD do të ndajnë rreth dy të tretat duke u ndjekur nga Partia e Lirisë. Në seancë nuk morën pjesë përfaqësuesit e forcës që drejtohet nga Berisha, por PDIU kishte pretendime për shumën. Vendimi për shpërndarjen e fondeve do të jepet të martën teksa KQZ-ja do të verifikojë pretendimet e partisë së drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

 

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re