Sot në orën 16:30, Partia Demokratike e Rithemelimit do të mbledhë Këshillin Kombëtar, me qëllimin për të forcuar strukturat e saj.

Në këtë mbledhje do të diskutohet për ndryshimet statutore, të cilat do t’i hapin rrugën grupit  të deputetëve të Gazmend Bardhit që të bëhen pjesë e strukturave të Rithemelimit.

Ky duket se do të jetë akti i fundit i bashkimit mes këtyre dy grupeve, që prej kohësh kanë nisur një aksion të përbashkët në Parlament dhe jo vetëm.

Mësohet se si pasojë e këtyre ndryshimeve statutore, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj do jenë dy nënkryetaret e rinj te PD-së së Rithemelimit, së bashku me Laçiano Boçin dhe Oerd Bylykbashin.

Ndërsa deputetët si Jorida Tabaku, Zheni Gjergji, Dhurata Cupi, Ferdinand Xhaferri, Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati do të jenë anëtarët e rinj të kryesisë së PD-së së Rithemelimit.

Ndryshimi i 2 neneve  në statutin e Rithemelimit

Në nenin 47 te statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon;

Në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, sipas pikës 1 të nenit 47, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta te fundit kooptohet me vendin Kryesie, si anëtarë të saj me të drejta të plota, deri në përfundimin e mandatit parlamentar, ose zgjedhjen e tyre sipas pikës 1 të nenit 47.

Ndërkohë, në nenin 51 të statutit të PDSH, pas pikës 2 shtohet pika 3 me përmbajtje si vijon.

“Në rast se pas zgjedhjes së nënkryetarëve, sipas parashikimeve të nenit 45 rezulton se kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe sipas rastit Nënkryetari/Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk janë fitues sipas kësaj procedure, atëherë ata automatikisht konsiderohen nënkryetarë të partisë për shkak të funksionit. Përgjatë këtij mandati secili prej tyre gëzon dhe ushtron të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi si nënkryetarët e zgjedhur, për aq kohë sa gëzon funksionin e drejtuesit të grupit parlamentar të PD dhe/ ose atë të Nënkryetarit/Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

FORMULA
Bashkimi i grupit të Bardhit me atë të Berishës, tashmë do të bëhet edhe ‘de juro’. Sipas burimeve, kryesia e vogël e PD-së së Rithemelimit, ku bëjnë pjesë sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, nënkryetarët Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi si dhe kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka janë mbledhur për të diskutuar formulën se si do të ndodhë kjo shkrirje. Ky takim ka pasur edhe bekimin e Sali Berishës.

Formula e bashkimit do të bëhet nëpërmjet propozimeve për ndryshime statutore. Të njëjtat burime bëjnë me dije ditën e martë, 1 orë përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së së Rithemelimit, do të mblidhet kryesia e Partisë, ku do t’i propozohen ndryshimet statutore, që më pas do i kalojnë për miratim Këshillit Kombëtar. Sipas informacioneve të siguruara, pritet që të propozohet se ai/ajo, që mban postin e kryetarit të grupit parlamentar, do të jetë automatikisht edhe nën/kryetar i partisë.

Çka do të thotë se kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, pritet të jetë nënkryetar i Rithemelimit. Mësohet se një tjetër propozim do të jetë se, edhe ai i cili është nënkryetar i Kuvendit, do të ketë postin e nënkryetarit të partisë. E thënë ndryshe, nënkryetari i katërt i PD-së së Rithemelimit do të jetë Agron Gjekmarkaj. Bashkimi i grupit të Bardhit dhe Berishës do të prodhojë ndryshime edhe në kryesinë e partisë, ku në këtë forum do të bëjnë pjesë edhe deputetë të grupit të Gazment Bardhit. Edhe sa i takon këtij ndryshimi, formula do të gjendet në propozimet për ndryshime statutore, ku me propozimin që do të bëhet, në kryesi automatikisht do të bëjnë pjesë kryetarë, nënkryetarë të komisioneve parlamentare, nënkryetari i grupit parlamentar etj.. Po ashtu një emër i cili ende nuk është bërë pjesë e mbledhjeve të grupit parlamentar të PD-së është Jorida Tabaku.

Kjo e fundit me ndryshimet statutore që priten të miratohen nga Këshilli Kombëtar, ka të drejtë të jetë anëtare e kryesisë. Por, kjo sipas burimeve do të ndodhë në momentin kur Tabaku do të njohë PD-në e Rithemelimit. Një tjetër emër i cili do të jetë në kryesi është edhe Ervin Salianji, i cili është nënkryetar i grupit parlamentar të PD-së. Një tjetër pikë e rendit të ditës të martën do të jetë edhe krijimi i grupeve të punës, që do të merren me zgjedhjet e kryetarëve të 19 degëve të PD-së, të cilat janë pa drejtues.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re