Në kuadër të strategjisë së menaxhimit të pandemisë së Covid19, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me ekipin e mjekëve dhe infermierë ka inspektuar spitalin Covid-4 në aksin Tiranë-Durrës, i cili është gati për t’u hapur, me ezaurimin e kapaciteteve në tre spitalet COVID.

“Kapacitetet tona që tashmë i kemi ngritur dhe janë gati që në momentin që duhet, për t’u vënë në funksion. Numrat në rritje të rasteve të infektimeve dhe sigurisht numrat në rritje të rasteve në spitale, tashmë duke qenë se edhe spitali Covid3 është tërësisht me të gjitha kapacitetet i hapur në pritje të trajtimit dhe shërbimit të qytetarëve, edhe spitali Covid4 gjithashtu do të vendoset në një kohë të shpejtë në dispozicion të pacientëve për trajtimin e Covid19, me ezaurimin e kapaciteteve të 3 spitaleve COVID”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali COVID4 se po përgatiten edhe spitalet rajonale për përballimin e situatës së epidemisë.

“Kjo nuk është një periudhë e lehtë, e cila po shoqërohet me rritje të numrit të rasteve, ndaj vendosja në dispozicion e kapaciteteve të reja dhe përgatitja për hapjen e spitalit COVID4 vjen si përgjigje për përballjen e situatës. Nga ana tjetër edhe spitalet rajonale po përgatiten dhe tashmë strukturat janë ngritur, personeli është trajnuar, aparaturat biomjekësore janë vënë në dispozicion”, tha Manastirliu.

Më tej, Manastirliu u bëri thirrje të gjithë qytetarët, duke kërkuar bashkëpunim, për qëllimin e përbashkët që është ruajtja e shëndetit. “Duhet kuptuar se kjo nuk është një betejë që bëhet vetëm në spitale. Duhet të jetojmë me rregulla, të kemi përgjegjësi maksimale, sjellje individuale të kontrolluar, maskën, distancën, higjienën, të kufizojmë kontaktet, të mos qëndrojmë në grupe më shumë se 10 veta. Sigurisht që momenti i festive të Nëntorit do të jetë edhe njëherë një sfidë e radhës për ti thënë qytetarëve që kush është patriot, kush e do vendin, kush e do veten, kush e do familjen, do të duhet që të zbatojë rregullat dhe të kufizojë kontaktet. Ne duhet ta bëjmë për familjarët tanë, për veten tonë, për mjekët dhe infermierët që po sakrifikojnë prej 9 muajsh”, bëri thirrje Manastirliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re