Prej janari deri në dhjetor të vitit 2026, i gjithë vendi do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.

Ky proces do të bëhet përmes një norme tatimore prej 5%, ndryshe nga sa është aktualisht prej 15% nëse shitet prona.

Kjo është norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë për këtë proces, që prej kur ka ndodhur rivlerësimi i parë, që është e njëjtë si për bizneset dhe për individët.

Si do të funksionojë?

Sipas ligjit, taksa e rivlerësimit nuk llogaritet mbi vlerën totale të pronës, por mbi diferencën mes vlerës së re, që përafrohet me çmimin aktual të tregut, dhe vlerës së regjistruar më parë në dokumentet zyrtare. Kjo do të thotë se nëse një pronë është regjistruar me një vlerë më të ulët se çmimi real në treg, pronari paguan 5% vetëm për hendekun e krijuar mes këtyre dy vlerave, me qëllim që në regjistrat zyrtarë prona të reflektojë vlerën e re.

Në praktikë, nëse një apartament është regjistruar me vlerë 100 mijë euro, ndërsa sipas tregut sot vlerësohet 150 mijë euro, diferenca është 50 mijë euro. Tatimi për rivlerësim do të përllogaritet mbi këtë diferencë dhe jo mbi 150 mijë eurot e vlerës së plotë. Pikërisht kjo logjikë synon të nxisë formalizimin e vlerës reale të pronës, pa i vendosur barrë tatimore pronarit mbi gjithë pasurinë.

Norma 5% zëvendëson skemat e mëparshme të rivlerësimit, kur në fushata të kaluara taksa ka qenë më e ulët, 1% dhe 3%. Ligji parashikon që e drejta për rivlerësim të jetë e hapur nga data e hyrjes në fuqi e tij deri më 31 dhjetor 2026, duke i dhënë pronarëve një afat kohor të plotë njëvjeçar për të kryer procedurat.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me dosjet e hapura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Kërkesat për rivlerësim të depozituara pranë ASHK-së, për të cilat është kryer pagesa e tatimit, por që nuk kanë përfunduar procedurat administrative brenda 31 dhjetorit 2026, nuk humbasin efektin, ato konsiderohen objekt i këtij ligji dhe procedurat do të përfundojnë deri më 31 mars 2027.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re