Të gjithë ata qytetarë që kanë interes për të rivlerësuar pasurinë, procesi do të nisë zyrtarisht në datën 1 shkurt. Ndonëse ligji i miratuar në parlament  hyri në fuqi në datën 13 janar, zbatimi i tij në praktikë ka mbetur peng i udhëzimit që ende nuk ka dalë. Burime nga Ministria e Financave thonë  se janë në fazën e fundit të hartimit për ta bërë procesin efektiv.

 

Sipas burimeve nga Agjencia e Shtetërore e Kadastrës e Ministria e Financave, aktualisht janë duke u bërë detajimet lidhur me procedurat e rivlerësimit që do të ndiqen. Konkretisht po specifikohet vlera e pronës që do te merret për referencë, koha kur ajo është regjistruar në hipoteke, koha kur është kryer kontrata e shitblerjes apo çdo pikëpyetje tjetër.  Në përfundimin e tij drafti do të miratohet nga ministri i financave, duke bërë që në datën 1 shkurt në çdo agjenci kadastre të 12 qarqeve të ketë një sportel të posaçëm ku do të kryhen procedurat.

 

Sipas ligjit rivlerësimi do të kryhet me një tatim 3 %, çka parashikon diferencën mes çmimit fillestar të pronës dhe atij aktual të referencave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

 

Pritshmëritë e qeverisë janë që kjo procedurë të kryhet për rreth 50-60 mijë pasuri në të gjithë vendin. Aplikimet do të jenë të vlefshme deri në fund të muajit shtator.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re