Nga Artan Rama
Një nismë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) për ndryshimin e kufijve të territoreve ka sjellë reagimin e shoqatave të dedikuara në konservimin e jetës së egër në vend. Përmes një letre të mbyllur, që mban datën 6 nëntor, 21 shoqata mjedisore i shprehin Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, shqetësimin për reduktimin e Zonave të Mbrojtura, një pjesë e të cilave të vlerësuara edhe ndërkombëtarisht.
Përmes një procesi tenderimi, i cili rezultoi më nje eficensë të ulët të garës, AKZM-ja kontraktoi “Shoqatën Kombëtare të Parqeve të Shqipërisë”, një organizatë me profil të zbehtë publik, për të dorëzuar brenda dhjetorit studimin për rishikimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura.
Sipas propozimit të deritanishëm do të hiqet, rreth një e treta e hapësirës së përgjithshme të mbrojtur. Vetëm Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë i hiqet më shumë se gjysma e sipërfaqes së përgjithshme; Lumit Buna-Velipojë, afërsisht gjysma e sipërfaqes, ndërsa nuk shpëton edhe Parku Divjakë-Karavasta, i cili zvogëlohet, me afro një të tretën.
“Procesi është në fazën e diskutimit teknik, — thotë Zamir Dedej, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë. Është një diskutim shumëpalësh dhe gjithpërfshirës por krahas zvogëlimit do të kemi edhe shpallje të reja të zonave të mbrojtura,” — përfundon ai
Fjala është për shpalljen e Parkut Detar të Gjirit të Porto Palermos në bregdetin Jonian, të Malit të Munellës ne kufirin që ndan Mirditën me Pukën dhe shpalljen e Lumit Vjosa në rrjedhën e sipërme të shtratit.
Duket se nisma mund ta garantojë sipërfaqen e përgjithshme prej 18% të Zonave të Mbrojtura në raport me territorin e vendit, por mbetet për t’u parë, nëse do të sigurojë integritetin ekologjik të ligatinave, çka pas konsultimeve paraprake konsiderohen si ekosistemet më të prekura.
Përplasja mes shoqatave ambientaliste dhe autoriteteve mund të përshkallëzohet, përderisa një pjesë e këtyre habitateve vlerësohen si zona të rëndësishme për shpendët shtegtarë të cilët mbrohen prej direktivave të BE-së apo prej konventave ndërkombëtare të konservimit të jetës së egër.
I pazakontë është fakti se pjesa më e madhe e zonave u shpallën të mbrojtura në një kohë të largët, atëherë kur legjislacioni dhe insitucionet mjedisore mungonin, ndërsa po lëshohen pikërisht sot, kur legjislacioni është përditsuar e përafruar cilësisht me direktivat mjedisore të BE-së. (Foto 2 dhe 3, bashkë. Txt poshtë )
“Ka disa zona të cilat e kanë humbur statusin mbrojtës, kryesisht për shkak të aktivitetit njerëzor” – thotë z. Dedei. Në këto kushte ne do përcaktojmë kufij të rinj, duke përjashtuar habitatet e degraduara.
Por fragmentarizimi nuk është i vetmi problem. Nisma e autoriteteve për t’u marrë me pasojat, duke lënë mënjanë shkaqet e degradimit të habitateve, rrezikon tërësinë natyrore të tyre.
Për drejtuesin e Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë (AOS), ornitologun Taulant Bino, shqetësimi lidhet edhe me ato pjesë territoreve të mbrojtura që janë objekt i kërkesave për zhvillimin e veprimtarive ekonomike.
Parku Divjakë-Karavasta i propozuar për t’u zvogëluar (vija e verdhë) dhe parku i ri detar Porto Palermo
“AKZM dhe Ministria duhet të sigurojnë ruajtjen e integritetit dhe të funksionalitetit ekologjik të Zonave të Mbrojtura dhe jo ndryshimin e tyre në përmbushje të kërkesave për zhvillim,”— shkruan ai në letrën drejtuar ministrit Klosi.
Dy vjet më parë, në krye të një koalicioni prej dymbëdhjetë organizatash mjedisore, AOS kundërshtoi pa ndërprerje inisiativën e të ashtuquajturit “investitor strategjik” (MABETEX) për ngritjen e një resorti të madh turistik në Parkun Ligatinor Divjakë-Karavasta, e projektuar, pjesërisht, në zonën e tij qëndrore. Falë këtij konflikti qeveria u detyrua të pezullojë resortin dhe kompania u tërhoq.
Mirëpo përpjekjet e atëhershme për “kolonizimin” e rezervateve të mbrojtura, mund të ripërtërihen sot nën ndikimin e një energjie të re për tërheqjen e investimeve strategjike. Ligji i sapomiratuar “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare” i sheh pronat shtetërore si një mundësi financiare për realizimin e projekteve zhvillimore të Korporatës. A mos vallë ricaktimi i kufijve të Zonave të Mbrojtura po shërben si një alibi për vënien e territoreve publike, në dispozicion të këtyre investimeve?
Kjo mbetet për t’u parë, ndërkohë që shqetësimi nuk është i parakohshëm…/exit.al/