Profil ALUMNI/ Një nga studentët e parë të Komunikimit në UET sot koordinon disa projekte të rëndësishme të UNDP me impakt social në komunitetin Rom dhe Egjiptian
Është e vështirë sot t’i besosh çdo gjëje që thuhet në ekranin e televizorit, por Robert Nazari është eksperienca e së kundërtës. Ishte shtator i vitit 2006 kur duke ndjekur rastësisht emisionin Zonë e Lirë në TvKlan u njoh me Ermal Hasimen, Henri Çilin, Adri Nurellarin dhe Blendi Kajsiun, 4 pedagogë të rinj që kishin vendosur të hapnin universitetin e tyre, Universitetin Europian të Tiranës. Ishte momenti kur Roberti po mendonte për studimet e tij dhe vendosi të regjistrohej pikërisht në atë universitet duke e shënuar emrin i 5-i në regjistrin e sapohapur të një historie që nisi atë natë dhe tashmë ka hyrë në dekadën e dytë.
Ai studioi Marrëdhënie Publike-Komunikim, një nga degët më të kërkuara që në hapjen e universitetit, por studimet ishin vetëm formimi i tij akademik të cilin e përdori për të ndërtuar një karrierë që është po ashtu e fokusuar te komunikimi. Pasi kreu dhe një master në universitetin Polis për Menaxhim Mjedisor dhe Urban, ai e gjeti veten duke punuar në fushën e shërbimeve sociale në drejtorinë që merrej me këtë çështje të bashkisë Berat. Fokusimi te shërbimet sociale dhe njohja e problematikave në terren e çoi më tej në menaxhimin e disa projekteve me rëndësi për komunitetet.
Roberti prej disa kohësh koordinon në Berat, qytetin e tij të lindjes, disa projekte të rëndësishme të zyrës së UNDP dhe BE-së me impakt social në komunitetin Rom dhe Egjiptian.
Pas disa vitesh që merret nga afër me integrimin social e ekonomik të këtyre dy komuniteteve ai e quan veten si “njeriun e tyre”, një punë që nuk bëhet vetëm për pagën, por për kënaqësinë që të dhuron në fund të ditës kur shikon ndryshimin që ka ndodhur falë saj.
“Kjo ndërtesë ka qenë një haur, një vend i braktisur dhe pa asnjë funksion, që ishte kthyer në një çerdhe të të droguarve, kemi gjetur një mal me shiringa këtu kur nisëm punën, por sot ja shikoheni si është dhe për çfarë shërben”, thotë ai, duke treguar ndërtesën 2-katëshe të një kopshti në lagjen Barrikada në Berat, ku mësojnë 80 fëmijë dhe afro 30 prej tyre janë të komunitetit egjiptian.
Ky kopsht u ndërtua në kuadër të projektit për fuqizimin ekonomik dhe social të komunitetit rom dhe egjiptian, financuar nga Bashkimi Europian e zbatuar nga UNDP. Robert Nazari dhe kolegët e tij që punojnë në zyrën e UNDP në Berat kanë bërë punën në terren duke ndjerë dhe kënaqësinë e falënderimeve të dhjetëra familjeve që jetojnë në atë lagje, të cilëve ky kopsht, jo vetëm iu ka hapur dyert fëmijëve për edukim, por ka hequr frikën e një zone të pasigurt.
“Ky ishte një hap cilësor në karrierën time duke njohur një anë tjetër të fushës së shërbimeve sociale. Pas një përvoje disavjeçare në fushën e shërbimeve sociale hapi tjetër besoj se do jetë larg Beratit duke kërkuar sfida të reja”, thotë Roberti për MAPO.
Po ky nuk është projekti i vetëm që Roberti ndjek për këto komunitete. Janë disa që kanë të bëjnë me punësimin e pjesëtarëve të këtij komuniteti etj. E gjithë dita e tij e punës është e lidhur me këto komunitete duke u bërë shumë i afërt me problemet e tyre dhe duke punuar për zgjidhjet e mundshme.
“Kur punoja në Bashki në drejtorinë e Shërbimeve Sociale, ishte një punë që të bën të komunikosh përditë me njerëz duke qenë pranë njerëzve. Një punë e lodhshme, por kur arrin të ndihmosh njerëzit në nevojë të fal shumë kënaqësi. Koordinimi i projektit për komunitetin Rom dhe Egjiptian, ishte një hap cilësor në karrierën time duke njohur një anë tjetër të fushës së shërbimeve sociale. Pas një përvojë disavjeçare në fushën e shërbimeve sociale hapi tjetër besoj se do jetë larg Beratit duke kërkuar sfida të reja”, thotë ai për MAPO.
Studimet, një gur i fortë për karrierën
“Gjëja që më ka befasuar më shumë për mirë ka qenë komunikimi i pedagogëve me studentët. Të qëndronin pranë, të ndihmonin, të këshillonin, një gjë që nuk e kishim pasur as në gjimnaz”, tregon ai duke kujtuar ardhjen në universitet.
“Programi i studimeve që kam ndjekur ka qenë i plotë dhe më ka ndihmuar që të kem një karrierë të mirë. Studimet e kryer në UET përveç se të japin një formim në një fushë të caktuar, të zhvillojnë edhe mendimin kritik duke thyer formatet e universiteteve model rus që kemi dhe duke të bërë më të përgatitur për tregun e punës”, beson Roberti.
Ai thekson se dalja nga shkolla në tregun e punës nuk i ka krijuar asnjë vështirësi. “Tregu i punës është shumë i vrullshëm në ndryshimet që pëson dhe universiteti duket të ruajë hapin e tregut të punës, gjë që UET e ka bërë shumë mirë deri tani”./mapo.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re