Robert Ndrenika i është përgjigjur me ironi kolegut të tij, Guljelm
Radoja i cili një ditë më parë tha se “e shiti kauzën e teatrit”.
Aktori ynë i madh, Ndrenika thotë se, së pari nuk është mirë me shëndet e
mandej nuk ia ka kursyer ironinë Radojës. “ I thoni se kam marrë 200
mijë euro”, u shpreh ai.
Guljelm Radoja: “Një nga kolegët e mi i tha dikujt
se ‘unë shkela mbi dinjitetin tim’. Pse shkele? A ka gjë më të madhe se
injiteti? Secili prej nesh kur lan faqet në mëngjes shikon veten dhe
thotë një fjalë: Ç’bëra dje?! Sa dinjtioz qesh dje. Pse isha qesharak
dje dhe lashë të shkelet mbi dinjitetin tim. Për çfarë? Përse u shite
miku im?! Përse u shite kolegu im? Çfarë pakti bëre me djallin, që
shkele mbi dinjitetin?”, u shpreh aktori.
Në lidhje me deklaratën e kolegut të tij, “Panorama” ka kontaktuar
mbrëmë me aktorin Robert Ndrenika, i cili ka pohuar se është në një
gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej
kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.
Robert Ndrenika: “Të më falni, por nuk jam mirë me
shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni
ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika. Për
fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të
manipulohet nga politika, ai shprehet: Mendon se jam shitur?! Epo mirë,
le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra,
kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, thotë me ironi
Ndrenika. Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.