Roja Bregdetare Greke hodhi tre emigrantë në det, duke shkaktuar mbytjen e njërit prej tyre, tha ministri i brendshëm i Turqisë Suleyman Soylu të hënën vonë.

Në një postim në Twitter, Soylu tha se pas incidentit në brigjet e rrethit Çeşme në provincën e Izmirit të Turqisë, dy prej tyre u shpëtuan ndërsa tjetri vdiq.

Ai shtoi se Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) “duhet gjithashtu të mbahet përgjegjëse”.

Soylu ndau pamjet e një prej emigrantëve të shpëtuar.

Një nga emigrantët tha se policia greke ua mori celularët dhe paratë dhe megjithëse një nga të afërmit e tij tha se nuk dinte të notonte, roja bregdetare greke nuk e mori parasysh këtë dhe i hodhi në det.

“Roja bregdetare greke na dha jelek shpëtimi para se të na linin në det, por ato ishin për fëmijë dhe shumë të vegjël. Nuk na përshtateshin. Kushëriri im tha se nuk dinte not. Por ata nuk dëgjuan. Na hodhën në ujë dhe ai u mbyt aty”, tha ai.

“Fjalët e tij të fundit ishin: “Nuk di të notoj! Nuk di të notoj!”, shtoi emigranti.

Emigrantët thanë se pasi arritën në një ishull duke notuar, roja bregdetare turke mbërriti dhe i shpëtoi.

Muajt e fundit janë regjistruar raportime të shumta se forcat greke kanë shtyrë ilegalisht varkat e azilkërkuesve, duke rrezikuar pasagjerët.

Turqia ka qenë një pikë kyçe tranziti për azilkërkuesit që synojnë të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të re, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.

Turqia aktualisht strehon mbi 3,7 milionë sirianë, duke e bërë atë vendin më të madh në botë që strehon refugjatët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re