Psikomotriciteti është një terapi ndërmjet trupit dhe mendjes. E konsideron individin si një unitet psiko-fizik e social dhe studion tërësinë e veprimeve motorike në lidhje me aktivitetin cerebral, jetën psikike, afektive, intelektuale dhe marrëdhëniet në të gjitha fushat e jetës.

Psikomotriciteti i drejtohet si bebit të porsalindur, fëmijës apo adoleshentit për të cilët interesohemi për zhvillimin, procesin e të mësuarit apo sjelljes, po ashtu edhe adultit apo personave të moshës së tretë që paraqesin ose jo çrregullime psikiatrike, psikologjike, njohëse, të sjelljes, neurologjike, shqisore, motore, të zhvillimit etj, në kuadrin e përkujdesjes terapeutike, të riedukimit, të parandalimit, ose të përpjekjeve për mirëqenie.

Ingrid Trajani, presidente e Shoqatës së Psikomotricitetit në Shqipëri, tregon për gazetën “Shëndet+”, rolin e psikomotricienit, ku konsiston terapia dhe pse njihet kaq pak.

Psikomotricieni është një profesionist para-mjekësor, ndihmës në mjekësi. Puna e tij bazohet tek lëvizja, veprimi, komunikimi verbal e joverbal, emocionet, njohuritë, pra tek eksperiencat trupore, hapësira dhe koha dhe në angazhimin e tij psiko-fizik nëpërmjet teknikave të relaksimit.

E megjithatë, pavarësisht faktit që konsiderohet si një teknikë para-mjekësore, në kurrikulat e studentëve të mjekësisë, ekziston vetëm si informacion plotësues, ndërkohë që informimi- trajnimet, bëhen vetëm nga shoqata.

Ingrid, a mund të na shpjegosh se cili është roli i psikomotricienit?

Roli i psikomotricienit është i njëjtë me atë të terapistëve të tjerë (psikolog, psikiatër, fizioterapist, logopedist, edukator, mësues i specializuar etj) por që ky merret kryesisht me fëmijët të cilët ndihen keq me veten e tyre, ndihen keq me ambientin, kanë një sjellje jo sociale dhe janë  shumë të ndrojtur.

Pra, si të thuash është një terapi ndërmjetëse midis terapisë së psikologut, terapisë konjitive, terapisë tek logopedisti, tek psikologu dhe psikiatri. Edhe njerëzit që janë në depresion shkojnë tek psikomotricieni, sepse duke vepruar mbi trupin, ne çlirojmë mendjen.

Pra, ajo që e dallon psikomotricienin nga psikologu, logopedisti, mësuesi i specializuar etj, të cilët merren kryesisht me fjalën, është se në këtë rast koordinohet trupi me mendjen, fizikja me shpirtëroren.

Pse njihet kaq pak?

Leksionet e para për psikomotricitetin u dhanë në fillim të viteve ’50 në Francë, e më vonë u fut si degë dhe në universitet. Në disa vende ka një qasje mjekësore, ndërsa vende të tjera (Zvicra, për shembull) e kanë më tepër edukative, sikurse dhe ne, ku informacioni merret kryesisht në trajnimet që bën shoqata, ndërsa në kurrikulat e Universitet të Mjekësisë gjendet pak ose aspak. Ndryshe konsiderohet edhe si profesion luksi.

Po sa i rëndësishëm është roli i psikomotricienit dhe kujt ia rekomandoni të shkojë tek një specialist i tillë?

Kujtdo që nuk ndihet mirë me veten, në marrëdhënie me të tjerët dhe në marrëdhënie me ambientin ku jeton dhe punon. Ne e shohim të domosdoshëm sidomos në ato raste ku dhuna, mungesa e dashurisë, mungesa e kontaktit kanë qenë prezente që në fëmijëri. Për shembull, një mama  e cila punon tërë kohën dhe nuk është e përkushtuar sa duhet ndaj fëmijës, krijon një boshllëk tek ky fëmijë.

Është interesant fakti që psikomotriciteti të ndihmon duke vepruar, duke harxhuar energji, duke bërë lojëra nga më të ndryshmet dhe është mjeshtëria e atij që të drejton të të bëjë të hysh në rrjedhën normale të jetës.

Unë në terapinë që bëj (terapi zhvillimi) nuk mund të marr dot aq informacion, ndërkohë kur e vë në provat psikomotore, me mënyrën si lëviz, si vepron, kuptoj se ku çalon puna dhe aty veproj.

Për ta konkretizuar, më vjen një fëmijë për të folur por që është dispraksik (nuk koordinon dot mendjen me trupin), pavarësisht se e ka operacionin në mendje, nuk realizon dot gjestin. Për shembull, unë kam një libër në raft dhe e di që fëmijës i pëlqen ta marrë por nuk e kap dot. Ai e di që për të arritur librin duhet të përdorë karrigen, por nuk realizon dot veprimin, pra është moskoordinimi i trupit me mendjen që thamë më lart.

Nëse do të bënim një përmbledhje, për çfarë shqetësimesh këshillohet?

Terapia psikomotorike këshillohet për shqetësimet që prekin këto fusha:

  • motorika e përgjithshme dhe e vogël (ekuilibri, koordinimi etj.)
  • grafomotorika (disgrafia)
  • adaptimi tonik (drithërimat, mungesë fuqie, marrja e gojës, tiket)
  • orientimi kohë-hapësirë
  • lateralizimi
  • pjekuria
  • sjellja ( frenim, agresivitet etj.)
  • përqendrimi dhe vëmendja (me ose pa hiperaktivitet)

Po tek të rriturit?

Edhe pse si fillim terapia psikomotore u zhvillua te fëmijët, tani po ia hap gjithnjë e më shumë dyert edhe të rriturve, sepse u jep përgjigje specifike shumë prej problemeve të tyre.

Gjatë konsultimeve të psikomotorikës për të rriturit, problemet që dolën në pah kishin të bënin me vështirësitë e vogla ose të mëdha të përshtatjes psikosociale. Këto mund të prekin sferën e marrëdhënieve profesionale, personale ose intime. Gjithashtu ato varen edhe nga trajektorja dhe fazat së jetës së pacientit (hyrja në moshën e pjekurisë, mesi i jetës, maturimi, plakja): secila prej këtyre fazave është në vetvete një çështje psiko-sociale, që lidhet gjithnjë me një histori të veçantë.

Simptomat e shpeshta që hasim tek të rriturit janë:

  • Sëmundjet psikosomatike
  • Problemet me ushqyerjen
  • Depresioni
  • Problemet me seksualitetin/ partnerët
  • Çrregullime toniko-emocionale (tike, marrje goje)
  • Psikopati

Zakonisht, kur na vjen një person i tillë, ne së pari shikojmë gjestet, që nga mënyra se si ulet një femër, po i referohem femrave sepse kemi patur mjaft raste të femrave me depresion, sa larg tavolinës qëndron, sa e lirshme është ajo në bisedë etj. Nëse ajo është e mbledhur, unë i propozoj muzikë që të kërcejë, të fillojë të realizojë veprime të lirshme që tregojnë si koordinohet trupi jonë. Nëse një njëri nuk e ka kokën të qetë, nuk do të ketë rrjedhshmëri lëvizjesh. Ose i propozojmë lojëra kurriz me kurriz, pra veprime fizike për të parë koordinimin që ka me partnerin.

Ose një grua që vjen dhe ankohet/qahet për burrin e saj dhe këto janë rastet shumë të shpeshta. E dini kur çalon marrëdhënia njerëzore? Atëherë kur personi nuk ka patur një fëmijëri të mirë, nuk ka patur këndin e vet intim të lojërave, nuk ka pasur mundësi të ruajë sekretet e veta dhe të tjerët janë tallur me të. Nuk ka patur mundësinë e zgjedhjes, sepse gjithmonë e di mami, babi. Të gjitha këto e bëjnë personin të mos jetë i suksesshëm në marrëdhënie me partnerët dhe ka mungesë vetëbesimi.

Zakonisht këta persona janë tërë kohën të frustruar, kanë frikë brenda vetes dhe fantazojnë gjëra të tilla si: mos po më tradhton partneri, kanë frikë nga ndarja etj. Pra, nuk e kanë të formësuar vetëbesimin që unë jam individ më vete, jetoj dhe mbështetem mbi veten time dhe nuk e var veten nga askush.

Kanë frikë nga ndarjet, pavarësisht se gjatë jetës ne ndahemi shumë herë nga gjërat dhe njerëzit që duam. Edhe momenti i lindjes është ndarje (shkëputesh nga placenta), edhe momenti kur shkon në çerdhe ose kopsht është moment ndarje, edhe momenti kur nëna heq gjirin është ndarje. Këto janë çarje/ruptura që kush i kalon ëmbël e ka jetën e sigurt dhe kush jo, vjen tek ne.

Ne përdorim shumë metoda/ lojëra tek fëmijët, si për shembull ajo me tunelin e lindjes, ku shohim që fëmijët që kanë bërë lindje çezariane, ndërkohë që Zoti e ka dhënë të kalojë në rrugë tjetër/ të shtrëngohet gjersa të dali në jetë, nuk e kalojnë dot këtë tunel. Futen dhe kthen pas, kush ka patur një lindje natyrale nuk e ka fare problem dhe e kalon. Këtu na vjen përsëri në ndihmë psikomotriciteti.

Botuar në prill 2018

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re