Serie A ka tjetër muzikë për Romën që nuk po arrin të bëjë të njëjtat paraqitje pozitive si në Europa League. Skuadra e Paulo Fonsecas lau duart me zonën Champions nëpërmjet kampionatit pasi u mposht 3-1 nga Torino dhe tashmë e sheh veten 8 pikë larg vendit të 4-t. Roma shënoi shumë shpejt me Borja Mayoral pa u mbushur ende 3 minuta lojë, gol që u akordua me VAR, duke krijuar përshtypjen se do të ishte një ndeshje e thjeshtë për verdhekuqtë.

Por skuadra “granata” që kishte nevojë për pikë për t’iu larguar zonës së rrezikut të rënies nga kategoria reagoi fuqishëm dhe pasi humbi një mori me raste në pjesën e parë, realizoi tre herë në fraksionin e dytë të lojës. Sanabria barazoi shifrat në minutën e 57-të, ndërkohë që Simone Zaza vetëm pak sekonda pasi kishte hyrë në fushë shënoi edhe golin e dytë në minutën e 70-të duke kaluar në epërsi vendasit. Fitoren e skuadrës së trajnerit Davide Nicola e vulosi mesfushori nga Venezuela Thomas Rincon në minutat shtesë. Ndërkohë që verdhekuqtë luajtën edhe me një lojtar më pak në minutat e fundit pasi Diawara mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 85-të.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re