Skip to content

Ronaldo habit botën/ Në prag të 41-vjetorit, me moshë biologjike 28

Pavarësisht se pas 3 muajsh do të festojë 41-vjetorin e tij, Cristiano Ronaldo ka zbuluar se mosha e tij biologjike është vetëm 28 vjeç, një tregues i mënyrës së jashtëzakonshme se si kapiteni i Portugalisë vazhdon të ruajë formën e tij fizike.

5 herë fitues i “Topit të Artë” po përgatitet për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Atje, ai dhe Lionel Messi pritet të bëhen dy lojtarët e vetëm në historinë e futbollit që marrin pjesë në gjashtë Botërorë.

Në prag të angazhimeve me Portugalinë vitin e ardhshëm, Ronaldo është bashkuar me WHOOP, një kompani teknologjike që monitoron shëndetin dhe performancën e atletëve në kohë reale.

Pajisja mat ritmin e zemrës, cilësinë e gjumit, rikuperimin fizik dhe ngarkesën ditore, elementë që ylli portugez i konsideron kyç për të ruajtur nivelin e tij.

Më pak se 24 orë pasi sulmuesi i Al Nassr shënoi një gol spektakolar në ligën arabe, WHOOP publikoi të dhënat e mbledhura, duke bërë të ditur se Ronaldo performon “si një person 12-vjet më i ri.”

Sipas kompanisë, matjet treguan nivele jashtëzakonisht të larta rikuperimi dhe efikasiteti fizik, duke mbështetur pretendimin e Ronaldos se biologjikisht ndihet si 28 vjeç.

WHOOP theksoi gjithashtu se trupi i Ronaldos është “i optimizuar për gjumë, rikuperim, performancë dhe jetëgjatësi optimale.” Të dhënat treguan se 40-vjeçari ka një “kontroll metabolik elitar — që furnizon muskujt në mënyrë efikase, stabilizon energjinë dhe zgjat jetëgjatësinë e tij sportive.”

Këto të dhëna vetëm forcojnë imazhin e Ronaldos si një sportist me disiplinë të jashtëzakonshme, i cili nuk mbështetet vetëm te talenti, por te një investim i vazhdueshëm në shëndet, ushqim, stërvitje dhe teknologjitë më të avancuara të performancës.