15 Prill /ATSH-Gjergji Mima/ – Fshati Roshnik, 12 kilometra larg Beratit është një destinacion i shkëlqyer për të kaluar një fundjavë të këndshme në mes të natyrës dhe për të shijuar produktet bio që ajo ofron. Fshati Roshnik gjendet i rrethuar nga një pamje mahnitëse kodrash, e mbushur me pyje, formacione mahnitëse shkëmbore dhe madje edhe një liqen, kanion dhe një lumë i vogël. Roshniku është i mbushur me peizazhe mahnitëse ku mund të shëtisësh dhe me vende që presin të zbulohen. Zona është shumë e rëndësishme për bujqësinë dhe blegtorinë në të gjithë Beratin dhe është njohur si prodhuesi më i madh i ullinjve dhe verërave. Një numër i madh i pemëve të ullirit dhe vreshtave rrethojnë fshatin.

Rruga  rreth 12 km e gjatë, është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, sinjalistikë, kanalizime, trotuare për zonat e banuara si dhe vepra arti. Një investim i FSHZH së bashku me BE që i shërben rreth 7 mijë banorëve, duke lidhur lehtësisht komunat me njëra tjetrën por dhe rrugët nacionale. Rruga për në Roshnik vijon përmes kodrave të mbuluara nga vreshtat dhe ullishtat. Këto pemë të mëdha në kodrat e Roshnikut mbillen aty prej shumë brezash. Në kodrat e Roshnikut ka shumë bimë dhe faunë lokale, por pemët e ullirit gjithmonë tërheqin vëmendjen.Roshniku është pjesë e Programit Kombëtar 100 Fshatrat për profilin e tij dhe potencialet e zhvillimit në bujqësi, agropërpunim, agroturizëm, turizëm natyror e kulturor.

Në fshatin Roshnik ndodhet dhe monumenti i kulturës “Banesa në Roshnik”, shpallur monument kulture i Kategorisë së Parë. Është hartuar projekti i restaurimit të kësaj banese me vlera të rralla për të rijetësuar fshatin, duke rikthyer shkëlqimin e harruar. Në Roshnik gjendet edhe Kantina Alpeta, e cila është agro-turizmi i parë i certifikuar nga qeveria shqiptare. Kantina Alpeta është vendi më i preferuar për shumë vizitorë Dhe nuk është për t’u habitur, pasi kjo hapësirë ​​magjike natyrore ka pamje të bukur të malit Tomor dhe kodrave të ullirit. Vreshtat janë shumë afër kopshtit. Është një vend i përsosur për të ecur, për të shijuar natyrën, për të biseduar, për të admiruar bimët dhe lulet me bukuri të mrekullueshme dhe për të harruar të gjitha shqetësimet e jetës së përditshme.Kuzhina është një tjetër arsye për të vizituar Kantinën Alpeta, sidomos në sezonin e verës, kur mund të shijohen pjatat tradicionale si mish keci apo qengji dhe të ftuarit kënaqen me këtë pjatë të gatuar në mënyrë tradicionale e cila kurrë nuk zhgënjen. A keni pasur shumë punë e pyesim, pronarin një djalë, i ri i cili kujdeset që në restorant gjithçka të shkojë mirë dhe të gjithë klientët të mbeten të kënaqur.Nuk e prisnim ka shumë, përgjigjet ai, teksa lëviz nga njëra tavolinë në tjetrën për të shpërndarë gatimet tradicionale të zonës.

Një tjetër aspekt që duhet të ketë një agroturizëm i certifikuar është edhe ai i një numri të caktuar shtretërish për turistët.Kantina Alpeta ka 7 dhoma të mobiluara me shije të rafinuar dhe të hollë. Të cilat janë konvertuar nga shtëpi ferme në model  antik dhe modern. Aty mund të pushohet në dhomat e zbukuruara me pjesë autentike të mobilieve të vendit, të përkryer në përputhje me kulturën dhe stilin e Agroturizmit. Shumica e dhomave kanë pamje spektakolare të malit Tomor dhe kodrave. Gjithashtu gjendet një verandë e madhe në kopsht ku vizitori mund të shijojë një pije, në muzg dhe diell. Gjendet edhe një dhomë e përbashkët ngrënieje për ditët e ftohta ku mysafiri mund të ulet pranë zjarrit dhe të tregojë histori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re