“Unë jam i vetmi që u kam mbetur”

Kështu tregon për BBC-në një burrë i quajtur Kalid Jan, i cili tashmë është përgjegjës për 5 nipër e mbesa. Djali i Kalid, babai i 5 fëmijëve, ndërroi jetë si pasojë e tërmetit. Bashkë me të, Kalid humbi në tragjedi edhe dy fëmijë të tjerë.

Kalid aktualisht po qëndron në një tendë, mban mbesat me vete.

“Kam mbetur i vetëm. Shtëpia dhe gjithçka tjetër u shkatërrua e unë kurrë nuk do të mundem ta rindërtoj banesën”-tregoi Kalid.

E njëlloj si gjyshi me mbesat, ka qindra familje në Afganistan, të cilët kanë humbur gjithçka… dhe jo vetëm.

HISTORIA TRONDITËSE E NJË 28 VJEÇARI

Banore te nje fshati duke u lutur per jetet e humbura/ AP Photo/Ebrahim Nooroozi

Si historia e një 28 vjeçari, i quajtur Karim Niazai. Në tragjedi ai humbi plot 22 pjesëtarë të familjes. Ishte në një tjetër qytet. I shtrirë në dyshek për të fjetur, Karim po shihte celularin, kur dridhjet nisën.

“Dukej sikur e gjithë bota po shkatërrohej. Natën e kalova jashtë, kishim frikë nga lëkudnej të tjera. Nisa të telefonoj familjen time në Gian, por shërbimi nuk po funksiononte.”-tregoi për “The Guardian” 28 vjeçari.

Karim i kaloi orët e para të së mërkurës në kërkim të një taksie apo makine për t’u nisur drejt fshatit të tij të lindjes. Një mik i tij i erdhi në ndihmë e së bashku u nisën atje.

“Pashë në lajme se Giani ishte goditur rëndë. Këmbët më dridheshin. Nisa të mendoj, fshati im mund të jetë shkatërruar… pashë rrugës plot fshatra që kishin rënë në tokë, njerëz që mundoheshin të nxirrnin nga rrënojat njerëzit.”-rrëfen 28 vjeçari.

Pas disa orësh rrugëtim, Karim mbërrin në fshatin e tij. Ishte shkatërruar prej tërmetit.

“Kur arrita tek shtëpia, dy prej dhomave kishin kolapsuar totalisht. Pashë tim atë, po qante, citonte vargje të Kuranit dhe mes lotëve gërmonte në dhomën ku flinin vëllezërit e motrat e mia. Jashtë kishte trupa të mbuluar… nuk guxova t’u shoh fytyrat”-shpjegoi 28 vjeçari.

Karim ishte më i madhi mes 8 vëllezërve e motrave. Prej tërmetit humbi tre vëllezër të moshave 7, 12 e 17 vjeç, po ashtu dhe motrën e tij 22 vjeçe. Në total, 22 pjesëtarë të fisit të tij kishin humbur jetën.

“Nuk kam ngrënë ushqim që nga e enjtja. S’mundem. Tani jam duke qëndruar ulur jashtë spitalit dhe nuk di çfarë të bëj. Im atë është ende tek rrënojat, duke qarë për humbjen e vëllezërve e motrave të mia.“-përfundoi rrëfimin Karim.

NUMRI I VIKTIMAVE PO SHTOHET

 Photograph: Ebrahim Noroozi/AP

Kanë kaluar mëse 2 ditë nga lëkundjet e tërmetit me magnitudë 6 Rihter, e duket se numri i viktimave po vijon të rritet. Media në Afganistan raportoi se tashmë numri zyrtar i të vdekurve i ka kaluar 1.150 persona, ndërsa për të plagosurit, numri i kalon 1600 personat.

Shumë shtete e organizata ndërkombëtare kanë dërguar tashmë ndihmat e para në ushqime, veshje e tenda, por siç raportojnë mediat e huaja, situata në Afganistan duket e vështirë. Associated Press shkruan se një faktor mbetet edhe fakti i izolimit ndërkombëtar të vendit, fill pasi Talibanët morën pushtetin në Afganistan.

FRIKË PËR PËRHAPJEN E KOLERËS

BBC shkruan në një artikull se në mesin e vështirësive që kanë kapluar Afganistanin, po rritet frika e përhapjes së kolerës. Gazetari i BBC-së që raportoi nga një prej zonave më të prekura atje, ku takoi disa banorë që kishin humbur gjithçka prej tërmetit.

Kombet e Bashkuara po ashtu paralajmëruan për riskun e mundshëm të përhapjes së kolerës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re