Në Maqedoninë e Veriut, më 15 korrik zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes vitin e shkuar të kryeministrit Zoran Zaev, si pasojë e vonesës për hapjen e negociatave me BE-në.

Në këto zgjedhje ka një ndryshim të axhendës të koalicionit që deri para pak kohësh ishte në qeveri. Lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev, ka bërë të ditur se tashmë është koha që Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit të dalë në opozitë pas 15 vjetësh në qeverisje.

Zaev ka firmosur një koalicion parazgjedhor me një koalicion tjetër partish shqiptare siҫ është grupi i Zijadin Selës dhe i partisë BESA.

Ndërkaq, BDI e Ali Ahmetit, ka luajtur fort në territorin etnik duke nxjerrë slloganin e “kryeministrit të parë shqiptar” të Maqedonisë së Veriut.

BDI ka propozuar për kryeministër Naser Zuberin, një jurist me profesion, i cili ka një karrier të gjatë edhe në publicistikë, pasi ka punuar si gazetar në të përditshmen në gjuhën shqipe në Shkup: “Flaka e Vllazërimit”.

Zyberi, një 59 vjeҫar, i cili aktualisht punon noter dhe është aktiv si analist e komentator në mediat shqiptare në  Maqedoninë e Veriutë, ka një karrierë edhe si politikan, pasi në fillim të viteve 90 ka qenë deputet i Partisë për Prosperitet Demokratik, kadje ka qenë edhe Zv.kryeministër dhe ministër i Punës në qeverinë e socialdemokratëve të Branko Crvenkovskit.

Zyberi, gjithashtu ka qenë në grupin e punës për hartimin e Marrëveshjes së Ohrit gjatë luftës në Maqedoni në vitin 2001.

Në lidhje me këtë opsion, pra a është koha për një kryeministër shqiptar, Bekim Laҫi, një gazetar i njohur në Maqedoni, deklaroi për Shqip se “Naser Ziberi i takon një gjenerate politikanësh të viteve të 90-ta, të cilët nuk shquhen për ndonjë sukses të theksuar, madje nga shkaku se nuk ishin të aftë të avansojnë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, ndodhi konflikti i vitit 2001. Ketu qëndron dhe paradoksi i nominimit të tij për kryeministër të mundshëm, sepse bëhet pikërisht nga partia e cila pretendon se është  e dalë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare e vitit 2001.

Një tjetër dilemë që më bën skeptik për këtë nominim, lidhet me qëndrimin e të ndjerit Arbër Xhaferi, i cili parapëlqente ligjin para postit, sepse në rastin konkret, shqiptarëve mund tu dhurohet posti i kryeministrit, por ai mund të shndërohet në një post ceremonial, pasi partia fituese e zgjedhjeve do të mbajë numrin më të madh të ministrave, ndërkohë që asnjë propozim i kryeministrit nuk mund të jetësohet nëse nuk e ka dritën jeshile të kabinetit qeveritar.

Besoj se ky propozim është mungesë e ofertës reale dhe është patriotizëm folklorik i dalë pesë në dymbëdhjetë nga shkaku se nuk u prezentua për terminin e zgjedhjeve të 12 prillit të cilat u shtyen nga shkaku i pandemisë, dhe pyetja që shtrohet këtu është, ku do të ngelte idea e kryeministrit shqiptar nëse zgjedhjet do të mbaheshin më 12 prill”.

Ndërkaq, Naser Pajaziti, një gazetar e komentues gjithashtu i njohur në mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut thotë për Shqip se kjo tezë është më shumë elektorale sesa politike.

“BDI me idenë e kryeministrit shqiptar synon që të targetoj votuesin shqiptar, duke parë rrezikun nga koalicioni LSDM-BESA dhe koalicioni ASH -Alternativa, që mund të tërheqin pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar.

Nuk dihet se cilat janë kalkulimet e BDI dhe sa do të jetë e realizueshme kjo ide, sepse kemi një refuzim të ashpër publik nga partitë kryesore maqedonase.

Në aspektin e numrave ajo mund të jetë e realizueshme, duke pasur parasysh qeveritë e deritanishme në Kosovë, por në Maqedoni vështirë të ndodhë. BDI sipas gjitha gjasave këtë kartë do ta përdor në tryezën e negociatave për formimin e Qeverisë, ku përmes saj do të rris kërkesat e saj për të përfituar ndonjë dikaster më të rëndësishëm ministror sikur që janë Ministria e Financave ose ajo e Rendit.

BDI ka ditur që politikisht të luaj me ide të tilla siç ishte me presidentin koncensual , ku thirrej në parimin se njëri nga tre postet më të larta të shtetit ti takoj shqiptarëve”, deklaron Pajaziti.

Fushata elektorale në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet jo shumë e ashpër edhe si pasojë e kohës së pandemisë, e me distancim të skajshëm social.

Maqedonia e Veriut po paraqet gjithashtu shifra të rritura të të infektuarve dhe të të shtruarve në spital si pasojë e Covid 19./ gazeta shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re