Një ndër vendet më të prekura nga tërmeti është dhe zona e Shkëmbit të Kavajës, hoteli 8-katësh Vila Palma është rrafshuar nga themelet.

Grupet e emergjencave nxorrën nga rrënojat të pajetë 85-vjeçarin Sadik Qato, babain e pronarit të hotelit.

Aty, janë qindra qytetarë që ndjekin operacionin e kërkim shpëtimit.
Nga brenda rrënojave, dikush jepte sinjale jete. Klajdi Qato, djali 25
vjeçar i pronarit kishte thirrur për ndihmë. Ishte moment gëzimi dhe
shprese.

Pas 21 orësh, Klajdi Qato arrin të dalë i gjallë nga rrënojat, me një
plagë fare të vogël në kokë. Në një intervistë ekskluzive për Top
Story, Klajdi rrëfen 21 orë të ferrit, mes rrënojave, errësirës dhe
mungesës së oksigjenit.

“Në moment që rashë kuptova që isha mirë, pata një shpresë në vetën
time se do ia dal. Në moment të parë që rashë vazhdova heqjen e inerteve
afër vetes, të hapej sa më shumë pjesa ajrit dhe çdo gjë shkoi mirë”,
tregon për Top Story Klajdi Qato

Për orë e orë me radhë, zjarrfikësit shqiptarë gërmuan mes inerteve.
Gjithçka bëhej me ritme të ngadalta për të shmangur shembjen e mëtejshme
të platformave që mund të rrezikonin seriozisht jetën e të riut.

“Më pas ata arritën deri diku, që të afroheshin afër meje, më pas
erdhi ekipi grek që ishin të mrekullueshëm. Nuk e besoja kurrë se mund
dilja pa ata nga aty”, rrëfen Klajdi Qato

Kontakti fizik me të ishte një moment mjaft i rëndësishëm. Por,
duheshin ende orë për të mundësuar nxjerrjen e tij të sigurt. Gjendja
psikologjike e Klajdit vetëm sa rëndohej me kohën.

“Gjatë gjithë kohës që qëndroja deri te hapja e tunelit tek unë, isha në komunikim të vazhdueshëm me doktorin dhe njerëzit jashtë”, – rrëfen Klajdi. TCH

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re