Shumë vite më parë, nënën e kishte humbur prej kancerit. Motrën e saj të vogël e kishte rritur ajo, pasi edhe babai i kishte ndërruar jetë. Në moshën 38 vjeçare, mëson se edhe ajo vetë, njëlloj si nëna e saj, ishte prekur nga kanceri në gji.

“Jam nënë e katër fëmijëve, edhe motrën e kam rritur unë, pasi prindërit më kanë vdekur herët. Pas dy fëmijëve më të mëdhenj, i kam dy fëmijë më të vegjël, që janë motivi i jetës sime. Pas frikës se nëna më ka vdekur prej kancerit të gjirit, jam kontrolluar vetë. Në marsin e 2019 kam patur kontrollin e fundit, ku çdo gjë ka qenë mirë. Rastësisht në nëntor kur jam shtrirë kam vërejtur një gjendër në gjirin e djathtë. Pas disa ditësh u kontrolla e radiologia më tha që ke kancer, shkurt dhe shqip. Jam shokuar. Kam bërë biopsinë e parë dhe u konstatua lloji i kancerit. Ishte fat i mirë në fatkeqësi, që kanceri nuk ishte përhapur. Më tutje u operova dhe një javë më vonë kishin kuptuar biopsinë.”-tregoi për median në Kosovë, Lindita.

Dukej sikur e gjithë bota i kishte rëndë përsipër. Lindita tregon se nuk kishte patur forca për të luftuar, por mbështetja e familjarëve e bëri më të fortë.

“Burri ma fshehu (biopsinë), ishte stadi i tretë i sëmundjes. Në kemio nuk kam dashur me hy, por me mbështetjen e madhe të burrit, e për të luftuar për fëmijët… kam hyrë në kemion e parë. Jam munduar shumë. Pas një kohe kur erdha në shtëpi, flokët i hoqa. Edhe im shoq i hoqi flokët. Fëmijëve të vegjël i thamë se i hoqëm flokët për qejf, për gallatë. Por me veten ndihesha shumë shumë keq.”-shtoi 40 vjeçarja.

Pas dy vitesh luftë, Lindita tashmë i ka fituar betejat me sëmundjen. Kujton kohët kur dilte me të shoqin për të harruar sëmundjen, për t’ju rikthyer jetës normale.

“Kemi dal në park e kemi ecur shumë shpesh. I kemi marrë rrugica në Gërmi të gjitha, e në të gjitha ato kam kujtime.”

Lindita ka një apel për të gjitha ato gra shqiptare që përballen me këtë sëmundje.

“U them të gjitha grave që janë të sprovuara, çdo send është i mundshëm nëse keni forcën e motivin për të jetuar. Duhet luftuar, më së pari Zoti bën mrekulli e ti gjithçka mundesh me e bërë me vullnetin.

Do doja të thoja, në përgjithësi familjarët do duhet të jenë mbështetje e përkrahje për njerëzit që preken nga sëmundja. Po iu them se e kam patur fatin e madh që kam patur mbështetjen e tim shoqi. Të sëmurave me kancer mund t’ju them se unë dikur isha shumë e dobët, shumë pesimiste. Por çdo send është e mundur”-tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re