Po bën bujë në hapësirat shqiptare intervista e një gruaje kosovare e cila ka rrëfyer një prej përvojave të saj tragjike gjatë luftës: përdhunimin nga dy serbë.

Edhe pse sot e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, Vasfije Krasniqi-Goodman me banim në SHBA, ka pranuar të nxjerrë nga gjoksi atë dramë të përjetuar në moshën 16-vjeçare, gjatë periudhës së luftës, e ta ndajë pa droje më publikun.

Rrëfimi i plotë i saj dhënë për RTK-në:

“Më 14 prill të vitit 1999, isha në oborr dhe hyra brenda t’i thoja nënës të hapte derën. Nuk e dinim nëse erdhën të na vrisnin apo të na bastisnin. Ai (oficeri serb) pyeti ku e kemi babain dhe vëllain. Nëna i tha që janë në G-ermani. Ai tha ‘jo, nuk janë në Gjermani, kanë shkuar në luftë’ dhe hyri brenda e më mori mua. Më tha se do të shkojmë në polici për të dhënë deklaratë. Nuk doja të shkoja, por më kapi dhe më futi në makinë.”

Vasfije e kuptoi se diçka nuk shkonte vetëm kur makina nuk u nis drejt komisariatit por mori kthesë tjetër.

“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por shkoi në drejtim të Prishtinës. Unë e dija por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua, sepse kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Shkuam në Babimovc, ka qenë një kishë aty, fshati ka pasur shumë serb. Në atë moment thjesht doja të vdisja me një plumb, dhe asgjë tjetër. Doja të më vrisnin”, rrëfen ajo.

Ajo shtoi se një prej serbëve që e sulmoi ishte polic i regjimit të Slobodan Miloseviç, ndërsa tjetri, ishte civil.

“Më detyroi të dilja nga makina. Më gjuante me kallama misri. Nisa të qaja, të ulërisja, të bërtisja. Më detyroi të hyja prap në makinë dhe aty më ndodhi ajo që s’e merr dot ndërmend. Dorën e majtë e kishte të lidhur dhe thoshte ‘do të paguash ç’ka bërë babai yt dhe vëllai jot’. Doja të më vriste, por jo, më tha se nuk do ta bënte sepse kështu vuaja më shumë”, tha 36-vjeçarja.

Por tmerri i saj nuk mbaroi me kaq. Më pas në makinë erdhi një tjetër person që e përdhunoi.

“Pastaj është kthyer në makinë dhe ka ardhur një tjetër, ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc”, rrëfeu kosovarja, duke shtuar se ata e kërcënuan që të mos u tregonte gjë prindërve të saj.

“Mos kallëzo ku ishe e ç’ndodhi. Thuaji familjes që ishe në komisariat duke dhënë deklaratë. Në të kundërt, vij të marr prapë”, i tha oficieri serb Vasfijes, sipas rrëfimit të saj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re