Historia e shqiptarit, i cili u kap duke tentuar që të largohet drejt Anglisë me pasaporta të falsifikuara.Muaji gusht për Besin është periudha më e bukur e vitit. Ai thotë se
rikthehet në Shqipëri për të takuar prindërit, miqtë dhe shokët, por
edhe për të kaluar disa ditë pushime me bashkëshorten e tij. Edhe këtë
vit nuk e prishi traditën. Tregon se ka ardhur që në datën 3 dhe do të
qëndrojë deri në datën 26.

Megjithatë, ndryshe nga herët e tjera këtë vit ka vendosur të
qëndrojë më gjatë se 2 javë që qëndronte zakonisht për të zbuluar arsyet
duhet të kthehet disa muaj pas në kohë.

Intervista

Pse është ndryshe ky gusht për ty?

Histori e gjatë. Ta them troç, më 9 mars u nisa me një grup prej 6
personash, që të gjithë shqiptarë nga Italia për në Angli. Lashë Milanon
dhe udhëtova drejt Napolit dhe më pas Barcelonës për të përfunduar në
Bilbao. Mëngjesin e datës 12 mars kam qenë në Getaria (qytezë baske)
buzë Oqeanit (Atlantik) në veri të Spanjës.

Udhëtove me letra të rregullta deri këtu?

Po po! Kam letra të rregullta italiane. Të gjithë kishim letra të
rregullta italiane dhe me këto letra na thanë që të udhëtonim drejt
Spanjës.

Kush ju tha?

Çunat.

Cilët çuna?

Ne vinte na vizitonte shpesh një djalë nga Krraba e Tiranës, që
punonte si kamionist dhe transportonte mallra për llogari të një
kompanie italiane në drejtim të Anglisë. E njohnim prej kohësh pasi kemi
punuar dikur bashkë në vjelje mollësh e dardhësh në Teramo. Rrinte tek
ne disa ditë ku na tregonte për jetën e Londrës, se si bëhej leku andej e
të tjera.

Ishe i pakënaqur me pagesën në Itali?

Jo jo! Ishte më shumë kureshtje e lakmi. Shihja në Instagram jetën që
bënin disa të afërm që janë aktualisht në Londër, ndaj kërkova që të
shkoja atje. I kërkova ndihmë për strehimin njërit prej tyre. Ai u
shpreh i gatshëm, por më tha se me letrat italiane që kisha nuk mund të
shkoja të punoja, madje as të qëndroja. Për këtë më vendosi në kontakte
me ca çuna edhe me ndihmën e këtij kamionistit, që kundrejt 6 mijë
eurove do të m’i rregullonin gjërat.

Shqiptarë ishin këta çunat? Si do t’i rregullonin gjërat?

Shqiptarë, shqiptarë. Në dialekt m’u dukën nga veriu. Më shumë nuk
di, sepse që komunikimin e parë ma bënë të qartë që të mos bëj shumë
pyetje, vetëm t’u jap ato që kërkojnë. Më kërkuan 3 mijë euro paradhënie
dhe tre të tjera kur të mbërrija në Angli. Ua dhashë dhe më thanë që të
rrija i qetë dhe të prisja që të më kontaktonin vetë. Me sa mbaj mend
ka qenë diku nga mesi i janarit. Në fund të janarit më kërkuan disa foto
me pak mjekër dhe më thanë që të hapja një Instagram fals për të
komunikuar në vazhdim me ta, pasi në telefon kishin frikë. Nga data 20
shkurt më shkruajnë nga një adresë e panjohur, ku më thonë se çdo gjë
është gati. Vendosëm të takoheshim më datë 21 në një pikë karburanti në
autostradën Milano-Torino.

Shkove në takim? Nuk kishe frikë se mund të të kapnin dhe të të dëbonin edhe nga Italia?

Kisha frikë, por kur mendoja se u kisha dhënë 3 mijë euro dhe kur
shihja postimet në Instagram të të afërmve që jetojnë në Londër
(qesh)…Shkova tek vendi që më thanë, por nuk është se i takova dot. Më
dhanë në dorë menjëherë një pasaportë italiane së bashku me ca shënime
që mezi i lexova.

Në emër të kujt ishte pasaporta dhe çfarë shkruhej tek udhëzimet?

Pasaporta ishte me një emër italian, që s’e mbaj mend sot dhe me
fotografinë time. Hoqa menjëherë letrën që më kishin shkruar dhe e futa
në xhep të xhaketës. Kur shkova në shtëpi u futa në banjo ta lexoja. Nuk
i kisha thënë njeriu për planin tim dhe nuk doja që ta merrte vesh
nusja. Aty më kërkohej që të isha gati se brenda pak ditësh do të më
njoftonin për nisjen. Dy-tre ditë më vonë nisa të fejuarën për në
Shqipëri. E gënjeva dhe i thashë se vetë do të vija më vonë sapo të
mbaroja një punë që kisha në dorë në Itali. Po prisja të më njoftonin,
po me kalimin e ditëve s’po kisha më durim dhe futem në Instagram t’i
shkruaj asaj adrese që më kishte shkruar. Pashë tek mesazhet që nuk i
dërgoja dot asgjë, ishte e çaktivizuar. Aty mendova se ma futën!

Nuk të kontaktuan më?

Jo më kontaktuan në fillim të marsit me një tjetër adresë. Më dhanë
një adresë dhe një emër në Napoli ku duhet të shkoja ta takoja para
datës 6 mars. U paraqita në adresën që më dhanë në datën 5 mars. Ishte
një banesë e braktisur dhe e mbushur me emigrantë nga të gjitha vendet.
Duhej të takoja një person me emrin Roko.

Shqiptar, apo italian?

As e mora vesh se ça ishte. As italishten nuk e fliste mirë. Na futën
në një dhomë të vogël, ku ishim rreth 15 vetë. Pesë ishim shqiptarë.
Mbaj mend që djalë nga Fushë-Kruja. Ai e kishte për herë të 7 që e
provonte. Ishte kapur nga Holanda, Danimarka dhe Franca. Këtë herë do e
provonte së bashku me ne nga Spanja, po pa pasaportë false, thjesht si
klandestin.

Sa qëndruat aty? Kur u nisët për në Spanjë?

Për tre ditë kemi qëndruar në atë ndërtesë, që natën boshatisej dhe
ditën mbushej plot prap. Nuk e di ku shkonin, po dukej që një pjesë e
mirë punonin si shpërndarës droge apo në prostitucion. M’u shpif dhe
isha bërë gati që të braktisja çdo gjë e të kthehesha sërish në Milano,
deri kur na thanë që mbrëmjen e 9 marsit do të niseshim. Udhëtuam me
traget për Barcelonë. Zbritëm atje dhe letrat italiane i ktheva me postë
sërish në Milano, ku i priste një miku im. Direkt, ashtu të lodhur nga
udhëtimi morëm trenin për në Bilbao. Nuk e mbaj mend orën, po ka qenë
mëngjes herët. Për 7 orë kemi qenë në tren. Zbritëm në Bilbao dhe kemi
qëndruar vetëm pak, sa për të blerë ujë e cigare. Më pas i hipëm një
mikrobusi.Sa vetë ishit këtu? Kishte ndonjë drejtues grupi?

12 vetë ishim dhe na drejtonte një shqiptar. Ai fliste gjithmonë
italisht për të mos u kuptuar që ishte shqiptar, por nja dy-tre herë i
shpëtonte ndonjë e sharë shqip. Kur e pyeta, po ti shqiptar je, më tha
që jo, po ngaqë rrinte shumë me shqiptarët, kishte mësuar disa sharje
shqip.

Ku ju çuan?

Se ç’ishte një qytezë e vogël me emrin Kitara a Gitara, ku kishte vetëm pensionistë dhe emigrantë që prisnin anijet e transportit të mallrave dhe gomone për t’u hedhur në Angli, apo Francë. Aty u rehatuam nëpër çadra të improvizuara. Ditën e dytë nisi një shi i fortë me erë që na e mori me vetë çadrën. U lagëm u bëmë ujë. Morëm plevitin! Kështu, mes lagështisë, të ftohtit dhe pagjumësisë qëndruam 8 ditë në pritje. Na mashtronin duke na mbajtur me shpresë se së shpejti do të vinte anija jonë, deri kur na thanë pastaj që me anija mallrash nuk iknim dot, por do të udhëtonim me gomone për në Francë dhe aty do të merrnim anijen e mallrave për në Angli. Unë nuk e kisha për herë të parë gomonen. Kam udhëtuar në 2002-2003 drejt Italisë. E dija sa e rrezikshme ishte, po prap rashë dakort. Do të udhëtonim natën, po shyqyr Zotit nuk ndodhi me ato dallgë që kishte deti (oqeani), rrezikonim shumë.

Pse nuk u nisët, çfarë ndodhi?

Dëgjuam sirena policie dhe të gjithë filluan të shpërndaheshin. Isha
aq i lodhur dhe i nevrikosur, më shumë me veten sesa me trafikantët, sa
vendosa të qëndroj në vend. Me vete kisha vetëm pasaportën false dhe
çantën me rroba dhe ushqime. Shyqyr Zotit më shkoi në mendje ta djeg
pasaportën, që të mos i hapja probleme vetes. E dogja dhe prita që të
vinin të më arrestonin. Kur erdhën (policët) pasaporta ishte djegur dhe
hirin e shpërndava me këmbë për të zhdukur gjurmët. Pasi më vunë prangat
nisën të kontrollonin nëpër çanta. Më pyetën për emrin dhe u dhashë një
emër tjetër. Sa për çantën u thashë që nuk kisha çantë, se ma kishin
vjedhur në kamp.

Të gjithë shqiptarët u kapën?

Po të pestë u kapëm, përveç drejtuesit të grupit, që s’e mora vesh si
shpëtoi. Po mbrapa na thanë që në momentin e aksionit të policisë ai
kishte qenë buzë detit duke përgatitur gomonen. Ndoshta ka ikur me
gomonen. Katër shqiptarëve të tjerë u gjetën ca dokumenta me vete. Dy më
duket ishin si unë me pasaporta italiane false, që nuk kishin arritur
t’i hidhnin. Në komisariat më pyetën vazhdimisht se ku e kisha
pasaportën, po u thashë që nuk kisha asnjë dokument me vete. U tregova
që jam nga Shqipëria, që deri atje kisha ikur vetë, pa organizimin e
ndonjë grupi dhe se pasaportën dhe dokumentet e tjera më kishin humbur
së bashku me çantën. Më kërkuan një numër telefoni në Shqipëri për të
kontaktuar. U dhashë një numër jofunksional, që e aktivizoja sa herë
vija në Shqipëri dhe të paregjistruar me emër e mbiemër.

A të besuan?

S’e di a më besuan apo jo, po pas pesë ditësh në paraburgim e mbyllën
me mua dhe më dhanë vetëm një paralajmërim për shkelje të paligjshme të
kufirit.

Po me të tjerët, çfarë u bë?

Me sa kam marrë vesh, ata janë ende brenda. Në shtator më duket se kanë gjyqin e fundit, pasi akuzohen si trafikantë.

Si arrite që të rikthehesh në Itali duke shpëtuar paq në të gjithë këtë ndodhi?

Pasi më nxorrën nga paraburgimi më transportuan tek një kamp
refugjatësh afër Barcelonës. Këtu me bashkuan me një grup që do t’u
dorëzohej italianëve dhe u nisëm të shoqëruar nga policia për në Itali.
Italianët na morën në dorëzim në Siçili. Në Spanjë nuk më morën shenjat e
gishtërinjëve, po kisha frikë mos do i merrnin në Itali dhe do t’u
dilnin të gjitha të dhënat e mia. Fati im që atë ditë kishte fluks të
madh klandestinësh afrikanë që u ishin dorëzuar italianëve për t’i
riatdhesuar dhe shenjat e gishtërinjëve nuk u morën. Përfundova në Bari
dhe nga Bari në Vlorë.

U ktheve në shtëpi?

Jo, ku të kthehesha?! Mora në telefon një mik i tregova të vërtetën
dhe i mora 2 mijë euro borxh. Kam qëndruar një natë rreth portit të
Vlorës dhe gjeta mundësinë për t’u rikthyer sërish në Itali. Zbrita në
Bari ku më dërguan dokumentat e rregullta italiane dhe aty u çlirova.
Shkova në Milano dhe gjëja e parë që bëra fola në telefon me të shtëpisë
dhe me të fejuarën.

Nuk i kishte kontaktuar fare gjatë kësaj periudhe?

Jo, jo! Ata nuk dinin asgjë dhe akoma nuk dijnë asgjë. Po një i afërm
që punojmë bashkë në Milano e dinte, por i kisha thënë që t’i gënjente.
Hera u thoshte se jam në punë, herë që më ishte prish telefoni e kështu
arsyesh. Po erdhi një moment kur ishin bërë merak dhe i trembeshin më
të keqes, aq sa kishin bërë edhe denoncim për zhdukjen time. Denoncimin e
tërhoqën sapo i kontaktova. E vetmja që i kam treguar është e fejuara.
Po shyqyr që u mbyllën gjërat pa “qeder”.

A do ta provosh më Anglinë?

Ça thua?! Unë kam fshirë edhe Instagramin, mos i shoh më atë të afërmit kur postojnë nga Londra (qesh).

Një pyetje e fundit, po me lekët ça u bë? I more mbrapsht?

Jo! Po as që i dua më. Humba nja 5 mijë euro, po i quaj si para të
shpenzuara për një mësim të mirë që mora tani në moshën 30-vjeçare, ose
për turizëm…(qesh)

Shënim: Personazhi i mësipërm nuk dëshiron të identifikohet. Emri Besi nuk është emri i tij i vërtetë.

Intervistoi : Mentor Kasa

Marrë nga Gazeta SI

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re