U martua sapo i kishte mbushur të 18-tat. Drita* shumë shpejt do të përballej me dhunën e të shoqit. Fill pas lindjes së vajzës, nisën sharjet, të bërtiturat e kërcënimet… më tutje dhuna fizike.

“Fillimisht ka nisur të më godasë me shuplakë, pastaj me rrip, siç i vinte në mendje të më rrihte ashtu më rrihte. Më ka larguar prej shtëpisë, pastaj unë kam shkuar në një kafene dhe e kam lutur kamerierin që ta lajmëroj policinë dhe ata erdhën më morën”, rrëfen ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Drita* u largua nga shtëpia dhe përgjatë viteve të fundit është kthyer tri herë në një shtëpi të sigurt për gratë që përjetojnë dhunë në familje. Edhe aktualisht aty ndodhet dhe po përpiqet të mësojë punë dore, në mënyrë që të sigurojë një zanat për t’u pavarësuar financiarisht.

“Uroj që ëndrra ime të bëhet realitet, që me këto punë dore të cilat i kam mësuar këtu dhe që i kam ditur disa në shtëpi, ta hapi një dyqan e të filloj punën”, thotë ajo.

Drita* jeton në Kosovë dhe sipas saj vështirësia më e madhe është fakti se shteti nuk ofron kushtet e mjaftueshme që gratë që kanë përjetuar dhunë në familje, të mund të riintegrohen në shoqëri.

Zana Asllani, drejtuese e shtëpisë së sigurt në Prishtinë, thotë se për këtë arsye shpesh gratë rikthehen në shtëpinë ku kanë përjetuar dhunë.

“Ndodh edhe më shumë se pesë herë. Konkretisht tani kemi një grua që ka ardhur për herën e tretë brenda tre muajve.

Kjo pjesa e riintegrimit të grave në shoqëri është sfida kryesore, kuptohet në gjithë shtetin, e lëre më te ne në strehimore ku përballemi me mungesë të financave. Pjesa e riintegrimit duhet të ketë një program të posaçëm. Ne si strehimore kemi kurse këtu brenda me të cilat mundohemi të rrisim mundësitë e grave që kanë përjetuar dhunë”, tregoi Asllani.

*Drita është një emër fiktiv për të ruajtur privatësinë dhe identitetin e gruas që ka rënë pre e dhunës në familje


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re