Ekzekutimi i të dënuarit me vdekje Kenneth Eugene Smith të enjten e kaluar me thithjen e azotit, një metodë e diskutueshme e përdorur për herë të parë, ka ngjallur reagime dhe debate të forta, brenda dhe jashtë vendit.

Skenat që u shpalosën në burgun e Atmore tronditën dëshmitarët okularë, të cilët panë trupin e Smith-it të “përdridhej e përplasej” për disa minuta në barelë, përpara se të humbiste përfundimisht nga hipoksia.

Ekzekutimi i Smith, i cili ishte dënuar me vdekje në vitin 1996 pas gjyqit të tij të dytë për vrasjen e një gruaje me urdhër të burrit të saj, erdhi pasi të gjitha apelet dhe kërkesat e 58-vjeçarit për lirim me kusht u refuzuan, më e fundit nga Gjykata e Lartë të mërkurën. Në argumentet e tij me shkrim në Gjykatën e Lartë, shteti i Alabamës shkoi aq larg sa paraqiti hipoksinë nga thithja e azotit si “ndoshta metoda më humane e ekzekutimit e shpikur ndonjëherë”. Megjithatë, skenat e përshkruara nga këshilltari shpirtëror i 58-vjeçarit, Reverend Jeff Hood, e kundërshtojnë plotësisht këtë pretendim.

Duke folur për New York Post, prifti foli për skena tmerri që prekën thellë të gjithë oficerët korrektues të përfshirë në ekzekutim. Ai tha se mund të shihte tronditjen dhe habinë në fytyrat e tyre gjatë procesit 22-minutësh. “Atyre u ishte thënë se do të ishte e shpejtë dhe e lehtë… I gjithë procesi ishte thjesht i tmerrshëm. Ishte një skenë që nuk do ta harroj kurrë”, tha Reverend Hood.

Siç theksoi ai, nëse dikush futej aty dhe nuk e dinte se ishte një ekzekutim i vërtetë, do të mendonte se ishte në xhirimet e një filmi të një eksperimenti të tmerrshëm që kishte shkuar keq.

Hood i shpjegoi gazetës se, nga vendi ku u ul në dhomën e ekzekutimit, mund të shihte fytyrat e oficerëve korrektues, duke përfshirë atë të Cynthia Stewart Riley, një zyrtare në Departamentin e Korrigjimeve në Alabama. “Në këto kushte është e vështirë të dish saktësisht se çfarë po ndodh, por e di që pashë terrorin në fytyrat e njerëzve përballë meje. Kur filloi ekzekutimi dhe trupi i tij filloi të shtrembërohej, ndryshimi në shprehjen e zyrtarëve ishte i dukshëm. Ai dukej si një peshk i dalë nga uji, duke luftuar përsëri dhe përsëri. Riley ishte pas barelës në të djathtë të tij. Ajo ishte aq e stresuar sa vazhdonte sa me nerva këmbën në dysheme”.

Me kalimin e minutave, tensioni në dhomë rritej, derisa më në fund u konfirmua se i dënuari me vdekje kishte ndërruar jetë.

Kujtohet se një përpjekje e mëparshme për të ekzekutuar Smithin me injeksion vdekjeprurës, më 17 nëntor 2022, u anulua, pasi nuk mund të bëhej brenda kohës së caktuar vendosja e një kateteri për të injektuar tretësirën vdekjeprurëse në venat e tij, edhe pse ai qëndroi i lidhur për orë të tëra.

Kenneth Smith u shpall fajtor në vitin 1988 për vrasjen e Elizabeth Dorlin Sennett, 45 vjeçr, për të cilën u pagua për ta kryer nga bashkëshorti i viktimës, pastori Charles Sennett, i cili ishte shumë në borxhe dhe kishte një histori tradhtie. Ai donte të jepte përshtypjen se ishte një grabitje e shkuar keq. Edhe pse më pas bashkëshorti vrau veten, policia mundi të kapte autorët. Bashkëpunëtori i Kenneth Smith, John Forrest Parker, i cili gjithashtu u dënua me vdekje, u ekzekutua në vitin 2010.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re