Të gjithë shqiptarët e njohin. Ka luajtur më shumë se 200 role në një karrierë artistike prej mëse 50 vjeçare. Fjala është për aktorin e humorit Edmond Halili, i cili pak ditë më parë u nderua me çmimin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti.

Në një intervistë për News24, aktori i humorit ka treguar një pjesë të errët të jetës. Ai rrëfeu ngjarjet tragjike në jetën e tij. Në fillim të viteve ’80, i vëllai u vra nga duart e regjimit komunist, teksa tentonte të arratisej jashtë vendit. Ishte vetëm 25 vjeç dhe u mundua të largohej nga një Shqipëri e rraskapitur. Aktori tregon bisedën e fundit me të vëllanë dhe çfarë ndodhi pas asaj dite. Prindërit i kishin lënë amanet që të gjente eshtrat e të vëllait, por ende sot e kësaj dite, ai nuk i ka gjetur dot.

Halili: Kemi kërkuar. Jo janë djegur dokumentat, jo nuk ka harta… njëherë më erdhi njëri e na kërkoi disa para për ta gjetur varrin. Në zemër e kam atë.

-Si e kujtoni atë kohë?

Halili: Më 17 gusht të ’82 ma vranë vëllanë. Vëllai ka qenë i ri dhe me një shok të tij kishin vendosur për t’u arratisur. E takova atë natë në Kafen e Madhe në Shkodër e më tha thuajj babait se kam një ditëlindje e do vonoj. I thashë mirë. Babait i tregova kur më pyeti ku është vëllai. Mir më tha babai, por në mjes e thirrën babain. E çuan në morg, në spital.

Më tutje aktori tregon se e gjithë familja u dërgua në punë krahu.

Halili: Të gjithë u bëmë mjeshtra për me bërë llaç, beton, çimento. Unë u bëra ekspert me shuajt gëlqeren. Më tutje hekurthues…

-As zi nuk ju kanë lejuar të mbani për vëllanë…

Halili: Po e vërtetë është. Atë ditë pasi e vranë vëllanë, na thanë të dalim në punë. As zi nuk kemi mbajtur. Ne nuk e dinim që ai ishte vrarë. Na e kanë thënë pas 8-9 orëve. Nëna… tani imagjinoje ti, t’ja vrasësh djalin nënës, e ajo nesër të dalë në punë.

Unë dua eshtrat e vëllaut, asgjë tjetër… kemi gërmuar e shkuar në shumë vende. Kur i kanë vrarë, vëllain e mikun e tij i kanë futur në një gropë, por nuk i kemi gjetur dot.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re