“Makina e atyre të rinjve ishte si vetëtimë, po ecte me të paktën 150 km/h në atë moment”
Për këtë është i sigurt Vangjel Tuslluku, shoferi 58 vjeçar i një autobusi, i cili u përplas të dielën në mbrëmje me një makinë Volkswagen Polo, ku ndodheshin 5 të rinj, kushërinj e të afërm mes tyre.
Të rinjtë u identifikuan si Imad e Nadiq Salah, Imad El Harram, Dennis Guerra dhe Irene Sala, më e vogla, vetem 17 vjeçe. Të gjithë këta të rinj gjetën vdekjen në autostradën 45bis, në një prej ngjarjeve më tronditëse të kohëve të fundit në Breshia të Italisë.
58 vjeçari shqiptar, drejtuesi i autobusit, tregoi për gazetën e Breshias mbi momentin e përplasjes.
“Ishte një impakt shumë i fortë. Pashë një dritë që vinte në korsinë time, fillimisht mendova mos ishte ndonjë motorr. Brenda momentit, përpara më del një makinë e më pas ndjeva një goditje të fuqishme. Më goditi (makina) e menjëherë u thye xhami, nuk mund të shihja më asgjë. Në atë moment kam hyrë në korsinë e kundërt, humba kontrolli… autobusi nuk po frenonte më dhe timoni u bë shumë i fortë. Automjeti po ecte përpara, ndërsa unë vijoja të dëgjoja një zhurmë të frikshme. Isha i bindur se po godisja automjete të tjera”-tregoi shoferi shqiptar.
Siç shkruan media italiane, autobusi kishte ndaluar, duke u përplasur me një prej mbajtësve në aksin rrugor.
Ndërkohë në makinën ‘Polo’, të gjithë humbën jetën në vend. Asnjë prej tyre nuk kishte patentë, madje as i riu që po drejtonte makinën. 58 vjeçari, i cili ka 30 vite që jeton në Itali, sapo kishte përfunduar punën dhe po mbyllte turnin. Tuslluku, vetë prind i një vakze të mitur, tregoi për median se ende është i tronditur.
“Ndjej dhimbje e mezi më zë gjumi natën… vijon të më kujtohet aksidenti. Nuk e di se kur do të kthehem të drejtoj makinë sërish. Nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë. 5 të rinj u shuan. Nuk kam asnjë faj, por kam një peshë të madhe në ndërgjegje”-tregoi 58 vjeçari.
